Friday, August 22, 2025
BallinaKulturëRomani “Saga e Sarajevës”, si një përvojë estetike

Romani “Saga e Sarajevës”, si një përvojë estetike

Shkruan Arben Iliazi

Leximin e romanit të Stefan Çapalikut “Saga e Sarajevës”, (Shtëpia Botuese Gjergj Fishta) e konsideroj një përvojë estetike, që krijon një fenomenologji të tërë leximi. Do t’iu sugjeroja këtë vepër miqve të mi, masës së gjerë të lexuesve dhe, pse jo, edhe pushuesve, pasi është një tekst që lexohet me një frymë, pavarësisht kuptimit konvencional dhe metaforicitetit të brendshëm.
Romani është përqëndruar në një dramë turbulluese të brendshme. Është prilli i vitit 2024. Një shkrimtar bashkëkohor shqiptar shkon në një rezidencë njëmujore në Sarajevë dhe përpiqet të bier në gjurmë të paraardhësve të tij, një familje shkodrane me mbiemrin Cukali, e arratisur nga Shqipëria pas Luftës së Parë Botërore, me ndihmën e një austro-hungarezi dhë që përfundon në qytetin e Sarajevës. Një realitet shenjues, një univers i madh fiksional, që merr karakteristikat formale te koherencës, të kohezionit, të artikulimit narrativ, të shumësisë së niveleve, tipare që ndeshen vetëm në tekstet e vërteta (por që duhet t’i vëresh me kujdes).
Në këtë roman kemi dy role narrative, të Lekës shkrimtarit, dhe Mikel Cukalit, një prej anëtarëve të familjes së arratisur. Të dy rrëfimet janë paralele, jo të mbivendosura, takohen në fund të romanit me një befasi “prustiane”, megjithëse me tipare dhe karaktere të ndryshme. (Romani i Marsel Prustit, “Në kërkim të kohës së humbur”, ishte një përsiatje e gjithanshme për kohën dhe kujtesën emocionale).
Modeli narrativ i Çapalikut është përpunuar gjerësisht vitet e fundit, duke krijuar universe narrative të ndryshme. Forma e narracionit është homodiegjetike, pra narratori është i pranishëm si personazh në veprim, por jo i fokalizuar.
Është interesante të vësh re shkallën e ikonizimit të imazheve, shumë të detajuar dhe të kapshme, konvencionet në ndërtimin e figurave, metaforat vizive në përshkrimin e personazheve, lojën me ngjashmëritë dhe dallimet, shumë komplekse, kontrastet aspektuale, dinamizmin, arbitraritetin maksimal, nënligjërimin e përgjithshëm, metaforën si meknizmi kryesor i ligjërimit artistik.
Stefan Çapaliku është shkrimtar i intuitës, që aventurohet nëpër tekste të ndryshme me fraza të shkurtra, me reflektim filozofik, duke hulumtuar në elementët diskursivë dhe karakteristika subjektive provokuese dhe joshëse. Te ky shkrimtar është, gjithashtu, shumë e fortë ndjeshmëria ndaj aspekteve ndërsubjektive të ligjërimit.
Te “Saga e Sarajevës”, më shumë se qasja, na intereson studimi, veçanërisht semiotik, si tekst e si diskurs.
Kemi të bëjmë me simulakre të instancave të ndryshme sociosemantike, të krijuara nga nga strategji të veçanta diskursive, të drejta e të zhdrejta, ku kodi dhe mesazhi i mbivendosen njëri- tjetrit.
Në një analizë të hollësishme, si të komponentit njohës, ashtu edhe të komponentit pasional të teksteve, shohim se, mbi të gjitha, merr rëndësi vepruese pikësynimi për të mbajtur të ndara sistemet semantike nga veshja e tyre aksiologjike.
Konstrukti i fjalive të Çapalikut është shumë i veçantë, fjalitë e shkurtra janë veçantia e stilit të tij. Çapaliku përpiqet të përshkruajë realitetin, të vërtetën siç është jetuar e ndier në të gjitha aspektet e saj, nga narratori dhe personazhet, duke u përpjekur të transkriptojë sa më besnikërisht të jetë e mundur realitetin e ndjeshëm dhe të gjitha planet e tij (fizike, emocionale, ndijore). Autori në këtë vepër përpiqet të “eksplorojë” atë që është në origjinë të ekzistencës: transcendencën e shpirtit, Transcendetalistët i shohin fenomenet fizike dhe shpirtërore si pjesë të proceseve dinamike dhe jo si entitete diskrete. Pikërisht nga ky “lexim ekzistencial” i romanit arrita në përfundimin se qënia dhe koha ndodhen të stivosura njëra mbi tjetrën, duke iu referuar njëra – tjetrës. Ai që ekziston e zbulon kuptimin e qënies së tij duke shpalosur unitetin e strukturës së shqetësimit gjatë rrjedhës kohore-dhe anasjelltas. Pamjet e zakonshme për të ardhmen, për të tanishmen dhe për të shkuarën gjenden të hedhura tej, sepse ato i përkasin një rrjedhe kohore joautentike. Ato arrijnë të bëjnë pjesë në rrjedhën e vërtetë kohore, veçse bashkë, me kuptimin e tyre ekzistencial. Përmasa origjinale në këtë vepër është, pra, e ardhmja dhe kjo si një e e ardhme autentike, që ekziston me një natyrë të fundme që i përket rrjedhës kohore të vazhduar, jo autentike dhe pa fund. Por kjo e dyta nuk mund të rrjedhë veçse nga e para.

Stefan Çapaliku, shkrimtar, studiues, dramaturg dhe artist shqiptar, është një nga autorët më të rëndësishëm bashkëkohorë, që nxitet drejt reflektimit dhe ngritjes së pyetjeve. Dualiteti i qenësishëm i Çapalikut është manifestuar në dilemën e tij, ai nuk zgjedh dot midis fiksionit dhe kritikës, romanit social dhe konvencional, jetës dhe ligjeve.
Krijimtaria artistike e Stefan Çapalikut është një ide e emancipuar për kohën dhe kujtesën emocionale, me një emocion të disafishtë dhe shpengim të jetës, që i jep ngjyrim të përhimë imazhit. Në veprat e tij në prozë dhe dramaturgji trajton probleme filozofike tepër komplekse dhe të të holla.
Të pafundme janë veprat e tij, pothuaj në të gjitha zhanret. Nga veprat në prozë, ndër të tjera përmendim: “Secili çmendet simbas mënyrës së vet””, “Një ëngjël veshë me frak” Tregimet e tranzicionit”, “Kronikë në lindje”, etj.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT