Iku dhe një ditë,
i pafundm qielli,
deti dhe njerëzia,
sikur të kenë lindur në të njëjtin shtrat,
por jo me vese të njëllojta,
bluja shpërbën ëndrrat,
qetëson ngadalë,
me algat,
me rërën,
m’i kthen mendimet në fjalë.
Ekuivalencë,
ledhohen zëra fëmijësh në breg,
kohë e fisme leximi,
ndryshe çasti,
dielli bie pingul,
përcëllon,
më zhvesh dëshirash,
më mund,
pastaj i zhytem detit si notare amatore,
ujshëm e ëmbël ai më përkund.
Valëbuta më tërheq muskujsh,
artificiale me lëkurën time flirton,
në emër të erës,
prekje të vogla,
indesh dhe avujt m’i nget,
më merr me të mira,
më thërrmon çdo iluzion,
sikur kripën e vet.
Një shkëmb shkrihet në mua,
gjysmohen orët e blujta,
dallgët shkumojnë forma të çuditshme,
dielli përqafet me detin,
si në çdo perëndim,
gjurmët ende të ngrohta,
përditësohen lëvizjet,
por misteri i shijeve të mia,
mbetet anonim.