Saturday, August 23, 2025
BallinaLajmeE TRISHTË – Ndërron jetë gazetari e analisti i njohur Artur Zheji,...

E TRISHTË – Ndërron jetë gazetari e analisti i njohur Artur Zheji, ish- drejtori i përgjithshëm i RTSH- së…

Gazetari dhe publicisti i njohur Artur Zheji, është ndarë sot nga jeta në moshën 64-vjeçare.

Lajmi i hidhur u konfirmua  nga spitali i Sarandës, ku burimet mjekësore konfirmuan se Zheji mbërriti pa shenja jete, si pasojë e një arresti kardiak. Edhe policia e Sarandës ka shpërndarë njoftimin e saj lidhur me këtë ngjarje.

“Rreth orës 16:10 ambulanca e Spitalit Rajonal Sarandë ka marr në afërsi të Restaurant Layos në rrugën “Butrinti”, shtetasin Artur Petro Zheji i datëlindjes 26.09.1961 banues në Tiranë, i cili kishte probleme shendetesore. Ky shtetas ka ndrruar jetë gjatë transportit me Ambulancë.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Artur Zheji lindi më 29 gusht 1961 në Tiranë, në një familje të lidhur ngushtë me artin dhe kulturën shqiptare. Ishte djali i gjuhëtarit e përkthyesit të njohur Petro Zheji dhe i aktores së njohur Besa Imami. Ky formim familjar e shoqëroi gjatë gjithë jetës, duke i dhënë një dimension të veçantë intelektual e kulturor.

Karriera e tij shënoi dekada pune në gazetari, publicistikë dhe media. Ai ka qenë drejtues në Radio Televizionin Shqiptar dhe në gazetën “Mapo”, duke u dalluar për shkrimet analitike dhe stilin kritik. Ndërsa që nga viti 2017, emri i tij lidhej fort me emisionin “360 Gradë”, një nga platformat më të ndjekura të debatit politik e shoqëror, fillimisht në Ora News e më pas në ABC News.

Zheji njihej për qasjen e drejtpërdrejtë, integritetin dhe analizat e tij të thelluara mbi zhvillimet politike në vend. Për shumë kolegë dhe ndjekës, ai mbetet simbol i gazetarit që nuk iu shmang kurrë së vërtetës, edhe kur ajo ishte e hidhur.

Ndarja e papritur nga jeta e Artur Zhejit lë pas një boshllëk të madh në median shqiptare, por edhe një trashëgimi të pasur profesionale e intelektuale që do të kujtohet gjatë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT