Në natën e zjarrtë të Pashtrikut,
toka dridhej nga krismat,
era mbante hijet e trimave,
gëzhojat mbinë lule,
petale që fluturonin si yje mbi male.
Xhelal Behlul Sopi – dritë e Dardanës,
fishek që shpërtheu mbi male të reja,
petale flakë që u përhapën si yje në qiellin e natës,
lule që mbolli kujtimin e përjetshëm.
Bafti Nexhip Haxhiu – zemër skifteri e Vitisë,
fishek guximi në mes të stuhisë,
dritë që çau errësirën e maleve,
lule që rriti shpresën mbi betejën heroike.
Flurim Rrahman Rushiti – frymë e Kapit të Medvegjës,fishek që ndezi qiellin e luftës,
petale që shndritën si rrufe mbi malin e përgjakur,
lule që lulëzoi mbi rrugën e përjetësisë.
Salih Halim Zenuni – 20-vjeçar i Lubizhdës,
fishek që shpërtheu mes errësirës,
lule e gjallë mbi Gorozhup,
yjet e qiellit ndezën rrugën e kujtesës..
Astrit Hekuran Suli – flakë e Beratit,
fishek që lindi lule mbi Pashtrik,
ndriçoi altarin e Kosovës me gjakun e tij,
petale që fluturonin si flutura mbi male.
Alirizan Selman Selmani – zë i Tetovës,
rrufe që shpërtheu mbi errësirë,
petale lulesh u përhapën në çdo hap të luftës heroike, dritë që thyente re dhe errësirë.
Beran Muhamet Gashi – zemër e Prizrenit,
fishek që ndezi fushëbetejën,
lule që mbolli shpresën mbi tokën e përgjakur,
malet i përqafojnë emrin e tij.
Ejup Tafil Kosumi – sy shqiponje i Vushtrrisë,
snajper i lirisë,
fishek që lindi lule mbi malin e Kosovës,
fluturim që thyen erën dhe retë.
Gani Hamdi Saramati – gur i Dobrushtit,
fishek që ndriçoi rrugën e lirisë,
lule që rriti amanetin mbi tokë,
qielli përqafoi dritën e tij.
Safet Zeqir Peci – komandant i dritës nga Mitrovica,
fishek që fluturoi mbi qiellin e Pashtrikut,
lule që nuk shuhet kurrë,
yjet e natës kënduan trimërinë e tij.
Sali Islam Saramati – dritë e Dobrushtit,
fishek që vdekjen e shndërroi në shpresë,
lule që rriti jetën mbi altarin e Kosovës,
petale që fluturonin si zjarr mbi male.
Selver Bajram Maçkaj – burrë i Malësisë së Vërrinit,
fishek që u shndërrua në lule,
malet ktheu në kujtim përjetësie,
yjet dhe era kënduan emrin e tij.
Shpend Sefer Berisha – zë i Volljakës,
fishek shqiponje që fluturoi në qiell,
lule që mbolli lirinë në Kosovë,
fluturimi i tij ndezi qiellin mbi male.
Abdurrahman Xhylbehar Gërdellaj – djalë i Sharrit,
fishek i gjakut të tokës,
lule që lidh rrënjët me qiellin,
malet e Sharrit mbajnë kujtimin e tij.
Zejnullah Rrahim Zena – gur i Sojevës,
fishek që shpërtheu mbi male e fusha,
lule që mbolli emrin mbi kujtesën e përjetshme,
dritat e natës dhe hëna i përshëndesin petalet.
Mbi ta ranë hije, mbi ta u derdh dhe,
por shokët e besës i ngritën,
ua dhanë tokës varrin,
ua lanë historisë emrin.
Të gjithë bashkë – kor i pavdekësisë,
fishekë që shpojnë errësirën,
lule që mbijnë mbi gjakun e shenjët,
qielli dhe toka përqafojnë kujtesën e tyre,
era dhe ujërat bartin këngën e guximit për brezat e ardhshëm.
Operacioni “Shigjeta”
mbeti jo vetëm betejë,
por himn i jetës mbi vdekjen,
ku gëzhojat u kthyen në kupa lulesh,
dhe çdo lule mban emrin e një dëshmori,
dritën e pavdekshme të shpirtit të Kosovës.