Wednesday, September 3, 2025
BallinaSportTovërlani: Kemi grup të vështirë, por nuk dorëzohemi, synimi ynë është kualifikimi...

Tovërlani: Kemi grup të vështirë, por nuk dorëzohemi, synimi ynë është kualifikimi historik

Kombëtarja e Kosovës U21 e ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit në Kampin Nacional në Hajvali, para udhëtimit për në Rumani, ku të premten do të përballet me Rumaninë, në ndeshjen e parë të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2027. Para stërvitjes, përzgjedhësi Afrim Tovërlani dhe futbollisti Hekuran Berisha dolën në një konferencë për media, ku ndanë pritshmëritë dhe atmosferën brenda ekipit.

Përzgjedhësi Tovërlani theksoi se Dardanët U21 janë të vetëdijshëm për vështirësinë e grupit, ku krahas Rumanisë bëjnë pjesë edhe Spanja dhe përfaqësuese tjera cilësore, por që ekipi ynë do të japë maksimumin në çdo përballje.

“Na presin dy ndeshje të vështira, me Rumaninë dhe Spanjën, por fillimisht jemi të fokusuar te ndeshja e parë. Rumania dhe Spanja janë favorite të grupit, por ne nuk dorëzohemi. Edhe herën e kaluar kemi pasur një grup shumë të vështirë dhe ia kemi dalë me sukses. Kemi gjeneratë të re, me shumë prurje, por besoj se me një kolektiv të shëndosh mund të arrijmë rezultate pozitive. Gjithsesi, synimi ynë pas 10 ndeshjeve është të arrijmë një kualifikim historik, por gjithçka mbetet ta tregojmë në fushë”, u shpreh Tovërlani.

Ai foli edhe për sfidat që ka pasur ekipi këto ditë, duke theksuar: “Kemi pasur disa probleme me një virus që preku disa futbollistë, por stafi mjekësor është marrë me rastet dhe besoj se do të jemi të kompletuar për ndeshjen”.

Ndërkohë, futbollisti Hekuran Berisha shfaqi besim të madh te grupi dhe puna e përbashkët e bërë muajt e fundit.

“Grupin e futbollistëve e kemi shumë të mirë. Jemi katër muaj bashkë dhe kjo na ndihmon shumë në fushë, sepse e kuptojmë më mirë njëri-tjetrin dhe zbatojmë më lehtë detyrat e trajnerit. Kemi analizuar Rumaninë dhe besoj se do të arrijmë rezultat pozitiv”, u shpreh Berisha.

Dardanët U21 do të udhëtojnë nesër në mëngjes drejt Iașit, ku në mbrëmje do të zhvillojnë edhe stërvitjen zyrtare para ndeshjes së parë kualifikuese.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT