Trent Alexander-Arnold nuk është i shqetësuar nga kritikat e hershme që i janë bërë që prej transferimit te Real Madrid në qershor.
Mbrojtësi i kombëtares së Anglisë mori një vendim të guximshëm duke mos rinovuar kontratën me Liverpoolin, klubin e tij të zemrës, për të nisur një kapitull të ri në Madrid.
Edhe pse pritej të transferohej si lojtar i lirë, me kontratën që i skadonte në qershor, kampionët e Premierligës siguruan përfundimisht një shumë transferimi prej mbi 10 milionë euro.
Dëshira e Real Madridit për ta pasur Arnold të gatshëm për Kupën e Botës së Klubeve të FIFA-s u shfrytëzua nga Liverpooli dhe kjo solli tension në ditët e para të tij në kryeqytetin spanjoll.
Pas një paraqitjeje të mirë në turneun në SHBA, ai ka pasur një nisje të përzier në La Liga, me Dani Carvajal që po e ndjek nga afër për vendin e titullarit.
Kjo ka shkaktuar edhe disa reagime negative për paraqitjet e tij në ekipin e Xabi Alonsos, ndërsa Thomas Tuchel nuk e grumbulloi për Anglinë këtë muaj.
Megjithatë, përballë konkurrencës me Carvajalin dhe presionit të madh në Madrid, Trent mbetet i qetë dhe i bindur se largimi nga Liverpooli ishte vendimi i duhur.
“Ky ishte një nga vendimet më të vështira të jetës sime. Liverpooli është shtëpia ime; aty u formova si futbollist dhe si njeri. Por Madridi më dukej si hapi i duhur, në kohën e duhur,” tha ai në një intervistë për GQ Spain.
“Ishte ambicie dhe dëshirë personale për ndryshim. Për të sfiduar veten në një ambient të ri. Sigurisht, trashëgimia e Real Madridit është e pamohueshme. Por më shumë se kaq, ajo që më tërhoqi ishte ambicia ime dhe dëshira për të provuar veten në një rreth të ri.
Është një sfidë, por një sfidë që e mirëpres. Të luash në Bernabeu është e shenjtë. Ndien peshën e fanellës, por kjo është ajo që të shtyn të japësh gjithçka.”
Meqë nuk do të jetë i angazhuar me Anglinë në javët e ardhshme, Alexander-Arnold pritet të kthehet në fushë me Real Madridin më 13 shtator, në ndeshjen e La Ligës kundër Real Sociedad./Gazeta Express/