Saturday, September 13, 2025
BallinaVitrina e libritRajmonda Malecka -Në Muzeun e Skënderbeut

Rajmonda Malecka -Në Muzeun e Skënderbeut

Në krahët e ëndrrës rashë si fëmijë,
në rrugicat e Peshkopisë që frymojnë kujtime,
ku gurët flasin me gjuhën e brezave
dhe fryma e maleve të Dibrës
të përqafon si shall dimri mbi supe.

Në atë qytet të gdhendur nga era,
të kërkoja ty, baba,
si zog i humbur që kërkon folenë.
Çdo hap ishte thirrje,
çdo cep një kujtim,
dhe zemra ime rrihte si daulle lufte
në kërkim të dritës sate.

Shkallët e muzeut u bënë urë magjike,
një portë që më çoi drejt historisë.
Aty ishe ti –
i veshur si kalorës i Skënderbeut,
me shpatën e dritës në supe
dhe heshtjen e një shekulli në sy.
Si të kishe dalë nga një legjendë,
mbartës i urtësisë së stuhive
që ke kaluar pa u ankuar kurrë.

Pranë teje qëndronte Skënderbeu vetë,
i gjallë në trupin e Xhevat Limanit,
me shikimin që djeg si flakë
dhe që ruan betimet e gjakut.
Ju të dy dukeshit si dy male
që mbajnë mbi supe qiellin e kombit.

Në duar mbaja aparatin,
por gishtat më dridheshin nga mallëngjimi.
Çdo klikim ishte një lutje,
një përpjekje për të burgosur kohën,
për të mbajtur buzëqeshjen tënde të shenjtë,
atë buzëqeshje që më mëkonte shpresë
edhe kur furtuna kërcënonte horizontin tim.

Ti qeshe, baba,
si dielli që thyhet mbi ujë,
si hëna që zbret në pragun e shtëpisë sonë.
Në heshtje më the:
“Mos u tremb nga koha, bija ime,
jeta është mal i lartë,
por ne jemi bij të kreshtave,
e rrënjët tona janë të gdhendura në shkëmb.”

Pastaj u largove ngadalë,
si re që shkrin mbi majat e Korabit,
dhe muzeu u kthye në një tempull heshtjeje.
Atë çast më zgjoi mëngjesi,
por aroma e ëndrrës mbeti si parfum mbi shpirtin tim,
një kujtim i skalitur në zemër,
një dritare që hapet sa herë të thërras,
baba.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT