Saturday, September 13, 2025
BallinaVitrina e libritXheladin A. Çitaku-E VOGËL BOTA

Xheladin A. Çitaku-E VOGËL BOTA

Është zvogëluar bota, thoshte plaku im i ndjerë,
jo në përmasat e globit as në hapësirat e saj,
nisesh sot në dimër e mbërrinë po sot në verë,
nga mesi a nga polet për të arritur në çdo skaj.

Bota është zvogëluar dhe në përmasa tjera,
në shpirtin e njeriut nuk shfaqet madhështore,
nuk rrezëllon bardhësinë ashtu si ngahera,
veç rrudhet e tkurret në pëllëmbën e një dore.

I është zvogëluar botës fytyra e çiltërsisë,
virtyti është zhubrosur si leckë e përdorur,
ka hedhur mbi shpirtra gunën e hipokrizisë,
nga tokë e përçmuar zhgënjimin ka korrur.

Kur e thoshte plaku im pak gjëra kuptoja,
në pranverën time për asgjë s’doja t’ia dija,
që zvogëlohet bota atëherë nuk e besoja,
tek flatroja në kohë dhe në ëndrrat e mia.

Është zvogëluar bota thoshte babai shpesh,
si refren e përsëriste tek llafosnim çdo ditë,
unë dëgjoja çuditshëm, asgjë nuk merrja vesh,
shumë vonë e kuptova gjykimin që mahnitë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT