Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Edona Maloku – Bërdyna ka njoftuar se mbi 1400 mësimdhënës dhe mbi 6 mijë nxënës janë të infektuar me virusin korona në gjithë Kosovën.
Maloku-Bërdyna ka treguar rreth infektimit të mësimdhënësve dhe nxënësve bazuar në të dhënat e datës 28 janar që janë dorëzuar nga drejtoritë komunale.
“Nga 23 mijë e 90 mësimdhënës, me COVID-19 janë 1489 mësimdhënës. Nga 298 mijë nxënës, janë mbi 6 mijë të infektuar me COVID-19. Me skenarin rikthimi me prani fizike janë 672 shkolla, me skenarin A 7 shkolla, me skenarin B janë pesë shkolla, ndërsa në skenarin C janë 90 shkolla”, tha ajo.
Zëvendësministrja e MASHTI-t ka bërë thirrje për respektim të masave në shkolla dhe për vaksinim të fëmijëve mbi moshën 12 vjeçare.
Ajo ka folur edhe për dy marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e arsimit të cilat janë miratuar ditë më parë në Kuvend.
Vetëm gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 213 raste me virus nga mosha 0 deri 9 vjeç. Ndërsa nga mosha 10 deri 19 vjeç, janë regjistruar 955 raste me virusin korona.
Maloku-Bërdyna ka treguar se në mësim online janë 90 shkolla
“Nga 23 mijë e 90 mësimdhënës sipas të dhënave që ka dërguar drejtoritë komunale me COVID-19 kanë gjithsej 1489 mësimdhënës. Nga 298 mijë e 29 nxënës, aktiv me Covid-19 janë 6 mijë e 687. Ndërsa sa i përket numrit të shkollave sipas raportimeve që i kemi marrë nga terreni të dhënat janë këto, me skenarin rikthimi pra me prani fizike dhe me orar të plotë janë gjithsej 672 shkolla, që i bie që shumica e shkollave ende vazhdojnë të operojnë me skenarin rikthimi. Me skenarin A në total i kemi shtatë shkolla, në skenarin B që kombinon prezencën fizike dhe atë online i kemi pesë shkolla, ndërsa skenari C ose kalimi në mësimdhënie online është gjithsej 90 shkolla”, ka thënë zëvendësministrja e Arsimit.
E pyetur rreth numrit të nxënësve të vaksinuar, Maloku – Bërdyna tha se nuk i posedojnë ende të dhënat.
“Fatkeqësisht sot nuk i kam këto të dhëna, mirëpo besoj që për një kohë të shkurtë mund t’i marrim. Ju lus të drejtoni pyetje, nëse veç nuk e keni bërë, tek zyra jonë e komunikimit ose këshilltarja për media, që ta kemi në të shkruar që pastaj të dimë se ku t’ua kthejmë informatën prapa, por keni të drejtë do të ishte shumë me rëndësi ta kishin”, ka thënë ajo.
Në konferencën e rregullt për media të Ministrisë së Arsimit, Maloku – Bërdyna ka treguar edhe për programin e bursave të përbashkëta Japoni-Bankë Botërore ku për herë të parë mund të aplikojnë studentët nga Kosovë.
Ajo ka bërë të ditur se për herë të parë Kosova është në listën e vendeve të pranueshme dhe u ka bërë thirrje studentëve që të informohen në faqen zyrtare të ministrisë për studime në fusha të ndryshme që ofrohen nga ky program i cili ndanë bursa për studime master.