Wednesday, March 12, 2025
BallinaKulturëFilmKujtojmë sot 79-vjetorin e lindjes së "Artistit të Popullit" Vangjush Furxhi.

Kujtojmë sot 79-vjetorin e lindjes së “Artistit të Popullit” Vangjush Furxhi.

Vangjush Furrxhiu (1943-2001). Aktor, pedagog. Lindi në Korçë, më 24 mars. Mbaroi shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu”, më 1966. Punoi si aktor në teatrin “A.Z. Çajupi” të Korçës, deri në vitin 1972 dhe më pas si pedagog dhe përgjegjës i katedrës së regjisurës, koreografisë dhe menaxherëve të artit (1989-1992) në Institutin e Lartë të Arteve.Në vitet 1992-1994 ka qenë zëvendësministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, më pas punoi në sektorin e kulturës në Prefekturën e Tiranës. Ka kryesuar Shoqatën e Artistëve të Skenës për disa vjet. Aktrimi i tij u shqua për vërtetësi në mishërimin e karaktereve të ndryshme, sidomos të atyre që vinin nga shtresat sociale të nënpunësve e intelektualëve.Në vitet ’60-’80 ai realizoi disa karaktere origjinale në mënyrën e shprehësisë së tyre artistike, ku dalloi me rolin e Luanit në dramën “Njollat e murrme” e Minush Jeros (1969), me të cilin u vlerësua me Kupën e Festivalit të Teatrove si Aktori më i mirë. Falë vërtetësisë së lojës së tij, ky personazh mori jetë, u bë i besueshëm në raportin kontradiktor dhe dramatik që ai kishte ndaj lirisë dhe privatësisë së njeriut nën diktaturë dhe kuptimit disi ndryshe të tyre, duke i dhënë më shumë domethënie asaj çka personazhi përfaqësonte.Me Dursun Mullagën në dramën “Ditët e kiametit” e Luan Qafezezit (1978), vënë në skenë nga Esat Oktrova në Institutin e Lartë të Arteve, ai paraqiti zyrtarin finok, tinëzar e të korruptuar, i dhënë përmes gjetjeve të pasura aktoriale, në rrafshin e një satire të mprehtë, kurse me rolin e Thanasit në dramën “Hijet e natës” e Vedat Kokonës (1984) në Teatrin Popullor solli një figurë interesante, të mëvetësishme, në një trajtë origjinale, ku zotëronte sarkazma e hidhur, shpotia, por brenda një gjendjeje dramatike të besueshme që buronte prej sjelljes të personazhit.V. Furrxhiu ishte nga aktorët më të spikatur të kinematografisë. U dallua për një lojë realiste, me tone psikologjike, rëndom me përjetime të kahut dramatik, por edhe me përvijime të mprehta ironike e sarkastike, ku tërhoqën vëmendjen gjithashtu shija e tij e hollë, sqima, finesa, përkujdesja për të nxjerrë në pah elementet më ekspresive në gdhendjen plot mund e ngulm që u bënte roleve. Ndër figurat mbresëlënse që krijoi në kinematofrafi janë: Arifi në filmin “I teti në bronz” (1970), “Peliçeli në filmin “Malet me blerim mbuluar” (1971), Kiço Pela në filmin “Njeriu i mirë” (1982), Latif Bora në filmin “Agimet e stinës së madhe” (1981) me të cilin ka fituar Kupën e Festivalit V të Filmit Shqiptar.Falë spikamave ironike e sarkastike, ai bëri të dukshëm te ky rol anët korruptive të vdirra, mendjemadhësinë dhe abuzimin me pushtetin dhe të drejtën; kjo sajë një aktrimi që hidhte dritë, jo vetëm te karakteri demagogjik i të vërtetës së shpallur, por sidomos tek ajo që në fakt fshihej pas embrioneve të shprishura e të dhunshme të vetë shoqërisë të porsa dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Në këtë mënyrë iu dha një përmasë metaforike paradigmës së njohur të pushtetarit spekulant të kohës.Besian Vorpsi në filmin “Të paftuarit”, nderuar me Medaljen e Festivalit VII të Filmit etj., solli një tjetër kah në interpretimin e V. Furrxhiut, atë më të suksesshmen, gjithashtu edhe më të ndërlikuarën: vetironizimin, gjendjen e dyfishtë, shpotinë me vetveten. Delikatesa, inteligjenca dhe mprehtësia bëhen të dukshme në tërë arsenalin e mjeteve shprehëse që ai ka përzgjedhur, te funksionet konotative me mbarsje satirike që u ka atribuar këtyre elementëve, sikurse tek aftësia për të realizuar pa zhurmime dhe efekte spekulative kritikën e personazhit sajë linjës së hollë të autodemaskimit.Në lojën e tij si aktor vihet re një patos i brendshëm, theksimi i gjendjeve të përnxitura e nervoze, me qëndrime herë-herë shpotitëse, të shoqëruara shpesh edhe me trishtim, përvuajtje e pezëm. Ka fituar disa çmime. V. Furrxhiu ka shkruar artikuj e shkrime për teatrin, kinematografinë, me mbi 60 njësi bibliografike të botuara apo të kumtuara, si studime, referate, kumtesa, artikuj problemorë, recensione.Ishte hartues i disa programeve mësimore në Akademinë e Arteve, si dhe bashkëautor i tekstit “Mjeshtëria e Aktorit”. Ka dhënë një ndihmesë të vyer pedagogjike në përgatitjen e studentëve të aktrimit dhe regjisurës qysh nga viti 1972 e derisa vdiq nga një sëmundje e pashërueshme, duke ndikuar kështu në rritjen e kërkesave dhe cilësisë artisike. Mbante titullin shkencor profesor, si dhe titullin Artist i Popullit.

marre nga aktoret shqiptar

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT