PËRHERË ZGJUAR
Në këtë mbrëmje të butë,
Pas dritaresh
U fikën të gjitha dritat,
Sikur u mbyllën qerpikët.
Njerëzit,
Shkuan të flenë.
Vetëm një dritëz,
Rri ndezur përherë
Asaj,
Kurrë s´i them:
“Shko, fli!”
Ajo,
Është brenda meje,
Je ti.
………………………………………………………………..
KALON NJË GRUA
Nga gjiri i saj merr jetë bota,
Gjithë njerëzimi
Aty rritet,
Ajo është gurra,
Ajo,- porta,
Veç nga nëna
Dalin mitet.
Kalon një grua
A e ndjeni?!
Është lëndina,
Kodra, mali
Ajo, folezë për gjithë zogjtë,
Ajo, shkëndija e çdo zjarri.
Kalon një grua,
Mirësia,
Me butësinë engjëllore
Ajo lëviz e mban në këmbë
Gjithë galaktikat
Qiellore.
Kalon një grua,
Hapi i saj
Sikur përcjell ndonjë ninullë,
Fërfërijnë në qiell yjet,
I bëjnë dritë
E i bëjnë udhë!
………………………………………………………………………………….
FOLEZË QIELLORE
Një folezë zogjsh,
Qëndron në ajër,
Varur në degën e hajthme
Shkojnë e vinë stinët…
Ajo nuk lëviz,
Përcjell
Cicërima
Dhe paqe.
Çelin sythet,
Pema blerohet
Zogjtë këndojnë e çukasin
Ujëvarë ylberi më hedhin që lart
Shkallinë,
E mes tyre më marrin.
Po patë diku
Në pemë a në strehë,
Folezë pa tinguj brenda,
Ajo nuk është vetëm,
Kam lënë në të
Zemrën,
Mbështjellë me ëndrra…
…………………………………………………………………………………..
KËRKOJ NJË ÇAST DHE VETËM NJË…
Tik-tak, tik-tak
Kërcasin orët
Tik-tak, tik-tak
Bën dita, nata
Tik-takun ndjejmë brenda vetes,
Tik-takun ndjejmë nëpër hapa.
Oh, m´i ndaloni gjithë tik-takët!
Vetëm një çast,
Vetëm një grimë
Të kap një fjalë,
Të prek një tingull,
Fundja
Të nxjerr një psherëtimë…
………………………………………………………………….
NJË GRUSHT DIELL
Një grusht diell,
Do më mjaftonte
T´ua derdhja mbi flokë
Gjithë vajzave
Vello nusërie.
Një grusht diell,
Do më mjaftonte
T´ua vija si lodër
Pranë shtratit
Gjithë fëmijëve.
Një grusht diell,
Do më mjaftonte
Për gjithë të moshuarit
T´ua bëja
Bastun pleqërie.
Një diell i tërë,
S´do më ngrohte kurrë,
Sa një fjalë e vetme dashurie!
I DUA KËTO NDJENJA
Brenda meje
Jetojnë disa ndjenja të çuditshme,
Herë më troket
Zëri i fëmijërisë,
Herë si gonxhe
Më riçel vajzëria,
Pranë fëmijës,
Tek unë zgjohet nëna,
Pranë burrit,
Merr jetë dashuria.
Kur lozin fëmijët
Me ta dhe unë luaj
Dhe veten
S´e ndjej mes tyre të rritur,
Pranë tyre
Vetja
S´më duket e huaj.
Kokrrës së grurit
I gëzohem si bujku
Dhe pika e ujit
Më duket e artë,
Pranë bimëve,
Në fushë
Jam e dyzuar
E butë si nënë,
E fortë si atë.
Në ngjarje,
Ku ngrihet
Flamuri i kombit,
Një ndjenjë krenarie
Më ngop e më mbush
E kuqja e tij
Jeton brenda meje,
E ndezur si flakë,
E ngrohtë si prush.
…I dua këto ndjenja
Që gjallojnë me mua,
Pa to,
Nuk e di si do isha…
Unë ndjehem e lumtur,
Që në zemër blerojnë
Dhe shelgu
Dhe rrapi
Dhe pisha!
