Friday, February 6, 2026
BallinaVitrina e libritCikël poetik me poetin Abdullah Konushevci

Cikël poetik me poetin Abdullah Konushevci

LETËR FISHTËS

Shtetin e bëmë. Si t’i bëjmë shqiptarët?

Në Prishtinë
Ka pak shqiptarë
Shqiptare edhe më pak
Mësuesi im
Në Prishtinë
Ka shumë turq
Dhe një grusht llatinë

Imzot Nik Prela
Vdiq moti
Adem Jashari
Gati u harrua

Kakërdhi minjsh
Bajga buallicash
Kuturbon qyteti

Po të shkruaj
I teshur nga veremi
Mushkëritë m’i kanë grirë
M’i kanë bërë copë-copë

Në Prishtinë
Ka pak shqiptarë
Shqiptare edhe më pak
Mësuesi im
Sa janë bjeshkët tona
Nuk po plasin dhimbe
Atme e Fe s’po i vjerr kush në pe

MUNGESA E LIRISË

Ti ishe
Një mëngjes i freskët
Që lëshonte
Tinguj të kthjellët

Dhe ishe një kopsht i derdhur
Zot sa i derdhur
Me erë me ngjyrë
Mbytje çdo gjë përreth

Nga duart nga yjet
Si nga një libër i hapur
Mund të parathoshe çdo gjë

Si fatthënë e rysur që ishe

Po jepeshe lehtë
Si një kafshë
E lodhur nga ndjekjet
Se në flokë
Në ballë
Në sy
Kudo
Të vihej re
Mungesa e lirisë

LUTJA E FUNDIT

Ç’do të bëjmë tash, e dashur
Tash kur kaluam matanë dashnisë
Nuk e sheh se lodhja vdekja
Më zënë pritë në çdo hap

Ç’do të bëjmë tash, e dashur
Tash që po më murosin të gjallë
Hijet e ethshme për gjak
T’i lus me ma lanë njërin sy
Me të shikue kur ke me ardhë
Veshur në të zeza
T’i lus me ma lanë njërën dorë
Me t’i përkëdhel flokët ngjyrëgruri

Ç’do të bëjmë tash, e dashur
Tash, kur fundi po më afrohet
Si një qen i çartur
Po m’i skërmit dhëmbët

Ç’të bëjmë tash, e dashur
Të bëjmë atë që s’mund të bëhet
Të lutem
Udhë tjetër nuk ka.


TRADHTIA

E përcolla me një pikëllim të fshehur
Në sy në buzë nën bark
I shihja gjurmët e tjetrit

Kur u ktheva
Në dhomë kishte rënë stuhia
Shtrati sikur ishte kthyer përmbys
Banja merrte frymë me vështirësi
Si një i sëmurë astmatik

Hodha shpejt e shpejt në shportë
Brekët këmishët çarçafët
Shtratin e shtrëngova mirë për këmbësh
Po hija po era e saj ishte kudo

E di se më nuk do ta takoj
Se tjetri në sy në buzë nën bark
Do të lexojë me pikëllim
Gjurmët e mia

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT