Friday, March 14, 2025
BallinaVitrina e libritE diela poetike me poeten Zhaneta Barxhaj

E diela poetike me poeten Zhaneta Barxhaj

Kur dritat e skenës shuhen,

më thuaj ç’mban në zemër?!

Kur brohoritjet zbehen

e duartrokitjet heshtojnë,

më thuaj çfarë mbetet?!

A jetojmë për një çast shkëlqimi ?!

Apo mes tyre kërkojmë

t’i ikim vetes, të vërtetës,

vetë vdekjes…

Shuaji dritat, zbriti shkallët,

dhe ik shihe veten në pasqyrën e dollapit të thyer,

në cepin e shtëpisë ku linde.

A je po ti?? A e njeh më veten??

Fiki dritat fiki… dhe ndize zemrën.

A të merr malli,

të hysh syve të mi

e të drithmosh?!

A të merr malli,

për sytë mi,

ngulur si heshta syve të tu

teksa drithmoj?!

E mendoj këtë çdo çast

dhe nuk më ka marrë malli fare,

besoj se edhe ty njëlloj, fare fare.

Dhimbta e harrimit,

po më ther më fort se e mallit.

Lotët e harrimit, lajnë sysh kujtimet,

e më pikojë si gjëma kraharorit.

Buzët ndukin puthje harrimi,

gjakosen mbi dëshirimin që më nuk gjejnë.

E dua këtë kalvar, që na rikthen në jetë,

dhe na e kyç “ishte” në sirtarë.

Por sot, dhimbta e harrimit

po më ther më fort se e mallit.

Unë, ti dhe frika

u munduam të rrëfenim dhimbjen,

por a shkruhet ulërima?!

Unë, ti dhe frika,

deshëm të shkruajmë ndjenjën,

por a dëgjohet regëtima thellësive?!

Unë, ti dhe frika

nuk e pranuam dot të vërtetën,

por a fshihet dashuria?!

Unë dhe ti duhet të mposhtim frikën,

pastaj të rrëfejmë për jetën, vdekjen,

dashurinë dhe të vërtetën.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT