Wednesday, March 12, 2025
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me poetin Ervin Hysaj

Çaste poetike me poetin Ervin Hysaj

BEKIME NË MUZG

Në supet e këtij muzgu

ti je mbështetur si një nimfë.

Shndrijnë flokët e tua,

faqet e mollta,

dhe perëndimi

përndez qiejt e dashurisë tonë…

Si në fillim ashtu dhe tani,

medaljonit tënd i përfalem,

si Zotit në një kishë antike,

ku pagëzimin s’na e bën një prift,

por një perëndi e muzgët pagane,

kurse ti, bekimin e puthjeve më jep këtë muzg…

FENIKSI YT

Erdhi çasti të goditem përsëri

nga shigjetat e yjeve kësaj nate.

Ti qave këtë muzg,

dhe unë hap librin tonë të baladave,

ku ti më dashuron deri në fund,

dhe digjesh për mua si Feniksi.

Këtu të kam,

të gdhendur në gjoksin e kohës,

flokë gështenjta ime me shpirt prej deti,

që më deh me klithma dashurie.

Kjo është e përgjithmonshme;

Premtimi yt i hershëm…

Një portë fisnikërie më je bërë,

dhe feniksi yt më digjet përbrenda…

NJË RRUGË KUJTIMI

Ky qiell i vranët më foli prapë për ty,

si vetëtimë kujtese, sytë e tu,

më ndezën mallin e vjeshtës që kaluam,

ndanë bregut ku valëzonte deti blu.

Ti mbete përgjithnjë aty ndanë brigjesh,

ku posi puthje pllaquriten valët,

dhe ndiej tani nga larg se si po digjesh,

përmes kujtimesh ku flokët krehin mallet.

Atje tek ti tashmë, flokëthinjur dimri,

trishtuar, një këngë vetmie fishkëllen,

por ti sërish e gjen një rrugë kujtimi,

dhe vjen ngadalë, një puthje ma rrëmben…

GJUMË TË BARDHË

Ky dimër tashmë derdh mallin tënd.

Buzëplasur kjo pritja jonë…

Në qytetin tënd bardhuar nga bora,

kujtimi ynë i fundit

ka ngrirë në qelqet e dritareve,

ashtu siç e pat lënë fryma jote plot afsh,

atë ditë të largët vjeshte,

ku drutë e zemrave tona digjeshin fort.

Shiu do ketë reshtur kur të takohemi

dhe laraskat do kenë ngritur çerdhe

mbi plepat ndanë kësaj rruge me gurë,

nga ku unë do të nisem një mëngjes

me biçikletën e vjetër.

Drejt teje do të vij,

dhe era do më shkundë prej supesh

borën e kohës që s’u pamë.

Natën e mirë për sonte,

gjumë të bardhë!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT