Një tjetër natë digjet nën thëngjij,
përtej, dita sërish do të fillojë trishtë.
Mendimet e mia bëhen memecë.
Thërrmohen përballë tragjedive
rrokullisjes së pashpirtë vijëzave të fatit,
thellësive të pafundme,
si të duan të përhumben
për të udhëtuar më pas mëngëve të qyteteve,
përmes tingujve të bronxtë të kambanave,
e për të mbërritur portave të shkreta
ku bukuria përbuzet e paqja mohohet.
Zot,
Bekoji hapat e mi,
dhe mendimet e mia që fluturojnë mbi ata qiej
ndoshta për t’u ulur fronit të atyre shpirtrave,
radhëve të kurmeve braktisur mëshirës
viseve ku jehona ngjan se do jetë e përjetshme
e ku vdekja vijon të sajojë mozaikë…