T Vetëm pak javë kishin kaluar kur magazinieri i repartit kish dalë në pension dhe Dulla, një nga ata kapterrët e rendomtë që kish ardhur nga një repart tjetër që e zevendësoi, shfaqej gjithë pompozitet jo vetëm para ushtarëve e nën oficerëve, por edhe para ne oficerëve. Unë në fakt kisha një funksion të thjeshtë komandant toge, por kishte dhe nga ata që ishin me detyra të larta si komandantë kompanie apo shefa reparti. E shihnim të rrinte shumicën e kohës në oborr me sytë nga porta kryesore. Shpesh herë rrinte dhe bisedonte me ushtarin roje te porta kryesore. Fillimisht mendja më shkonte se rrinte me të për ndonjë cigare, pasi ai e pinte shumë dhe e pinte qyl. E vinim re kur shihte ndonjë ushtar që ndizte cigaren i drejtohej: -Një për shefin, dhe nisej me dorë të shtrirë si kthetër maceje drejtë paketës. Sa herë hynte e dilte komandanti në repart, ai gjendej pranë tij duke e shoqëruar dhe me dorë i shkundte jakat e kapotës që zbatdheshin nga zbokthi i shumtë dhe flokët e bardhë. -E kam shok të vjetër mburrej sapo komandanti largohej, për tu dukur i rëndësishëm dhe me peshë. Shumica ishin indiferentë me të, ca e mëshironin, por kish dhe nga ata që ju dukej i rëndësishëm, veçanërisht ushtarëve. Kish dhe nga ata që e vlerësonin si shfaqje normale, si shenjë mirënjohje e respekti ndaj tij. -E kam njeriun tim, më ka ndihmuar të vij në punë këtu. Aty ku isha më parë, jo se isha keq, por këtu jam më mirë. Të paktën rrogën se prek dhe punët e mija i mbyll, mbase dhe diçka më del. S’ja vinim shumë re, deri sa një ditë ndodhi një ngjarje që më la mbresa. Komandanti erdhi në repart nga stërvitja. Ishte i lodhur. Na përshëndeti neve që ishim brënda oborrit të repartit, hyri në komandë, hoqi çizmet e baltosura dhe i la pas dere në koridor, veshi këpucët që kishte në zyrë dhe u mbyll në zyrën e tij, mbase për të përgatitur ndonjë material, për të lexuar shtypin apo thjeshtë për të pushuar. Kjo është normale, por e çuditëshmja ndodhi pas pak çastesh. Sapo komandanti mbylli derën, magazinieri mori çizmet me baltë të komandanti dhe u largua. E pashë me habi por nuk i thashë gjë. Nuk kaloi as gjysëm ore dhe para derës së komandantit pashë një palë çizme që shkëlqenin. Nuk ishin të reja por të llustruara bukur dhe të fërkuara deri në shkëlqim. Prisja gjithë sy e veshë si do reagonte komandanti kur të dilte nga zyra. Dhe si për të më shuar kureshtjen sa më shpejt, kërciti brava e derës dhe komandanti doli. Pa çizmet e llustruara që shkëlqenin, u habit dhe mu drejtua mua që isha para derës së zyrës time. – Po këto? Pa patur kohë të thoja fjalën e parë, foli magazinieri nga fundi i koridorit ku ishin dyert e banjos. – I pastrova unë komandant. A kam punë tjetër më të rëndësishme se kjo? Të paktën çizmet tuaja ti mbaj të pastra. -Hajde o flori, i tha komandanti dhe i futi krahun. Mesa duket i pëlqeu shumë ky shërbim. Në fund të fundit askush nuk ja kishte ofruar një shërbim të tillë dhe kjo mbase e bëri të ndjehej mirë. Unë i ndoqa me sy deri sa u ndanë. Komandanti hypi në makinë dhe u largua për ku kishte punë, ndërsa magazinieri ju drejtua ushtarit te porta: -Një cigare shefit. E mëshirova. Urova që herën tjetër komandanti kur të vinte në repart të kishte shkelur një m… që magazinjeri ta pastronte dhe atë.
