Një udhëtim i vështirë
Ajo natë dukej sikur nuk do mbaronte kurrë.
Babai më lajmëroj se kish nisur vëllain për në Itali me gomone. Ishte Korrik i 1996. Edhe pse ishte vapë, shpirti im u ngri nga frika dhe meraku. Dy muaj më parë në 30 Maj unë e kisha provuar vetë çfarë ishte ai udhëtim i frikshëm në një det pa fund, pa rrugë dhe pa drita ku fati ynë ishte në dorë të tjetrit.
Erdhëm në Itali me skaf me bashkëshortin. Një çift i ri ku ëndërrat tona ishin si deti i gjërë nën shkëlqimin e diellit, ndryshe nga ky që na rrethonte. Kishim disa muaj të martuar dhe ndarjen nuk e kontrollonim dot pasi bashkëshorti jetonte në Itali. Në atë kohë nuk kish telefona në çdo shtëpi, ndryshe nga sot. Eh atëherë mungonin shumë gjëra që sot fatkeqësisht janë me tepricë. Unë isha një vajzë 21 vjeçe që bashkë me pajën pregatisja dhe hekurosja edhe ëndërrat dhe dëshirat vajzërore që nuk e patën shumë të gjatë kohën.
Kujtoj kur hipa në skaf, që nga shumë zhgënjime që vetë koha dhe vëndi ti krijonte, as plumbi nuk do më ndalje të kaloja detin, por kur isha në udhëtim frika më kish ngrirë të tërën. Preferoja ti mbaja sytë mbyllur, por sa herë i mbyllja më çfaqej vetja ime e mbytur në fund të detit dhe peshqit që hanin pak e nga pak trupin tim që shpërbëhej në ujë të turbullt, ndaj i hapja sytë në çast nga tmerri që përjetoja në heshtje. Dy orë që lundronim me një pikëpyetje të madhe.
Arrijmë nuk arrijmë, na kapte italiani apo më në fund do kalonin pasi kjo nuk ishte hera e parë që kisha tentuar të shkoja në Itali në rrugë të tjera. Pas kësaj kohe plot tension u dëgjua një zë :
-“Hidhuniiiii”.
Të gjithë filluam të hidheshin si ata peshqit që duan ti shpëtojnë rrjetës, por duke u munduar mos të bënim zhurmë. Kur pashë grupin e krijuar mendova në të qindën e sekondës,,, ku kishin hyrë gjithë ata njerëz në një biruc aq të vogël.
Torturë e vërtetë.
Kësaj i thonë të paguash vdekjen me para.
Ishim afër bregut. I shpëtuam rrezikut të mbytjes, por ashtu siç ishim, të gjithë të lagur, nëse policia do ndiqte gjurmët nuk do vuante aspak për të na gjetur. Më kujtohet që kisha veshur një palë tuta sportive me dy shtresa që nga uji më ishin zgjatur mbi një pëllëmbë dhe që i shkelja me një palë atlete të bukura me tyl që mi kish sjellë halla nga Greqia.
Më pëlqenin shumë, por në ato momente nuk mendoja asgjë tjetër veç të ndërrohesha dhe të largoheshim nga ai vënd grumbullimi. Në atë gjëndje lodhje dhe rraskapitje kishim ecur ndoshta mbi 4 orë. Një lodhje e madhe sa më kujtohet që në disa çaste më kapte gjumi duke ecur, mbështetur në krahët e bashkëshortit.
Më kujtohet që më në fund ndaluam në një ndërtesë me blloqe betoni të hapur nga të 4 anët. Diku atje fshehur në errësirën e natës u ndërruam me nga një palë ndërresa që i kishim marrë me vete. Duke pritur taksinë të na largonte nga pikndodhja frika ishte armiku ynë që na kish skllavëruar në ato çaste. Një eksperiencë e rrezikshme që unë nuk do ta kisha përsëritur as për njëmijë arsyet më ekstreme që mund të kisha, ndaj kur babai më tha kam nisur vëllain,,,, gjysma e qiellit mu nxi dhe gjysma e trupit mu paralizua. Atë natë nuk kam fjetur asnjë çast por veç jam lutur e lutur pa ndalim sa edhe Zoti do jetë mërzit dhe lodhur duke më dëgjuar. Të nesërmen para dreke arrin një telefonatë nga Bardhi, kushuriri që jetonte kilometra larg nga unë.
“Gentin e kam unë …. është shumë mirë”.
Atëherë qielli u hap por, Zoti filloj të lodhej sërisht duke dëgjuar falënderimet e mija….
Ky ishte veç fillimi i emigrimit dhe i jetës bashkëshortore që të gjithë çiftet fillojnë me muajin e mjaltit.
Që nga ajo natë sakrificat nuk mbaruan kurrë dhe emri emigrant na shoqëron jo vetëm jashtë atdheut ku jetojmë por, edhe në vendlindje. Tashmë ky emrër që të gjithë pothuajse e endërrojnë është gdhendur në kraharorin e çdo kujt prej nesh. Të vjetrit përdorin një shprehje.
Deti është i kripur ku do që vesh…
