Gracka e lotit
S’e di pse loti shpesh më grackon
Si shiu që kalon çatinë e thyer
si pritë e gjahtarit për një lepur në shtigje.
Si ai ujë
që vërshon në digën e rrëzuar prej përmbytjes.
Si ai currili
që bie në strehën kashtore të shtëpive.
E më bëhet shpesh ai lot si përrua
që një ditë mund ta thajë dielli e zhegu.
Mbase bëhet
guri i rrëzuar i një muri të lartë.
Mbase si një zarf që del një ditë te bregu.
apo si tërmeti i nëntokës me shumë ballë.
Në ditën e re
këtë lot dhimbjeje do ta bëj si vesë
Po ah
do ma shkrinte rrezja çdo mëngjes
Do ta bëja llavë vullkani
që do të më bënte të heshtja si memec
Po ta bëja si lesë të fortë gardhi
një ditë mund të hirëzohej nga zjarri që djeg.
Do të mbjell me të një filiz molle të zgjedhur
të më bekojë në ditët e mia të paprekura
të mos më bëhej si cifël e thyer tjegulle
të mos ishte si letër e hedhur
a si leckë e lodhur
në lavaman ku e presin enët.
Sa shumë punë paskam me lotin këtë jetë!
Sa shumë ëndrra të thur për buzëqeshjen e vërtetë!
Që dita e re
pa këtë lot të më vijë në pragun e qetë.
