Monday, February 23, 2026
BallinaVitrina e libritRudina Muharremi Beja-ËNDRRA PËRGJYSËM

Rudina Muharremi Beja-ËNDRRA PËRGJYSËM

Pranvera largohej me ngut, ndërsa rrezet tinëzare ngrohnin kurmin e plagosur të atdheut që përpiqej të bënte hapa të vegjël drejt një të ardhme më të mirë.

Kaosi dhe anarkia thuajse pushtonte gjithë qytetet, kurse njerëzit endeshin drejt një triumfi që kishte për fitore dhembjen e tyre. Çdo orë që vinte dukej sikur sillte një shpresë të re dhe çdo orë që kalonte dukej sikur vriste dhe atë pakëz drite që kish mbetur në shpirtin e tyre. Gjithçka thuajse ishte kthyer përmbys. Mes kësaj tymnaje por dhe herezie ai gjeti një punën dinjitoze, aq sa familja e tij e vockël të ndjehej e mbrojtur. Më në fund lodhja e pacak e tij do kishte një kuptim. Deri atëherë kishte kryer shkolla, por burokracisë në pushtet nuk i hynin në sy, për aq kohë sa ai nuk rreshtohej në vijë të drejtë me ta. Mërgimi ja kishte shkelur ballin me rrudha trishtimi dhe lodhje të madhe fizike. Kishte rrahur me pëllëmbë kufijtë jugorë të vendit, për ditë me radhë dhe me buzën akoma të prushëruar të puthjeve të një dashurie nisur që në bankat e shkollës. Nusja e tij e re do ta priste për muaj e vite pa asnjë lajm. Më pas çau detin përmes gomones, matanë Adriatikut, ku besonte se do gjente patjetër një jetë më të mirë.

Në një tjetër toke do merrte borxh bukën dhe do e lyente me lot malli. Të gjitha këto orvatje e rraskapitën dhe ja thyen ëndrrat.

U kthye në qytetin e tij dhe vendosi ta shikonte jetën në sy, në pëpjekje për të ndërtuar folenë e vet familjare. Muajt e vitet kalonin me shpejtësi marramendëse ndërsa centrifuga e jetës ia shtrydhte pa mëshirë edhe pikën e fundit të djersës.

– Duhet të pushosh, i fliste butë e shoqja, që sillej rrotull shtëpisë e fëmijëve e vetme, pasi ai lodhej tepër…

-S’mundem e dashur, ia priste me ngut ai, ja dhe pak, bëj durim edhe një vit sakrifica, dy maksimumi dhe çdo gjë do të rregullohet.

E puthte me ngut e po me ngut kapërcente me dy hapa oborrin i tëri i lulëzuar.

Përherë i njëjti ritual, fëmijët, nusen dhe prindërit e po të kishte pak kohë e forcë luante dhe me nipërit e vëllezërit përballë. Bisedonte me familjarët e tij dhe kërkonin zgjidhjet, ku natyrisht këndonin para një gote rakie sa herë u jepej mundësia.

Qershori atë vit erdhi shumë i nxehtë duke vështirësuar punën në kampin e ndërtimit

Bregdeti do të qepej me beton, pallate të reja do mbinin si kërpudhat pas shiut e ai bashkë me shumë të tjerë do të punonte pa ndalim, me trup e mendje..

Kushtet që ofronte koha e sapo ardhur, nuk garantonin kurrëfarë sigurie, ndërsa burokratët e vegjël përfitonin të mbushnin xhepat me shpejtësi marramendëse…

Ato ditë e shoqja nuk qe në shtëpi. Kishte shkuar në kryeqytet për t’i shërbyer kunatës së sëmurë, e bënin me turne. Fëmijët i kishte lënë me prindërit sikurse bënte gjithmonë në këto raste. Do të kthehej të djelën në mëngjes…!

Ai kishte larë fëmijët në darkë, në mungesë të saj , ishte shtrirë dhe vetë pas asaj rraskapitje prej zhegut të ditës, për t’u zgjuar herët, sepse puna e nisur nuk priste…

Mëngjesi i të djelës do vinte si përditë, mbuluar me zhurmë materialesh, ngarkuar në kamionin e punës dhe hapa të shpejtë, shumë të shpejtë…

Puthi fëmijët e u tha të gëzonin, sepse e ëma sa të kthehej nga Tirana do t’ u sillte ngrohtësinë e munguar dhe lodra nga qyteti. Humbi rrugës matanë nëpër atë mëngjes që ende nuk kishte zbardhur mirë. Pas, mbeti vetëm tymi i kamionit që lëshonte shtëllunga të zeza dhe dora e nënës përtej avllisë që e përshëndeste nga larg …

“Mirë ardhsh biri i nënës, mirë ardhsh” – uroi teksa mbështillte fëmijët e tij në gji.

Ai kishte filluar punën me ngut, ndërsa e shoqja kthehej për në shtëpi pasi kishte kryer “turnin” e saj.

Diçka i ishte këputur në stomak, një boshllëk i pashpjeguar, ndjente dhimbje që s’ kuptonte e s’shpjegonte dot.

“Ç’të ishte vallë ky siklet?!” – pyeste veten.

Ajo, ishte shkëmbyer një ambulancë gjatë kthimit me autobusin e linjës, sirena e të cilës shponte qiejt, por kurrë nuk mund ta imagjinonte se brenda saj gjendej i shoqi…

“Duhet të jemi të lumtur, ka dhe më fatkeq se ne” – psherëtiu ajo, tek shikonte abulancën t’i humbiste nga sytë.

Zbriti nga autobuzi i linjës, një mjet i rëndomtë e i rrënuar e me valixhen me tesha vijoi rrugën drejt shtëpisë…

Pa grumbuj njerëzish në oborrin e saj dhe në rrugën ngjitur dhe shpejtoi hapat.

“Oh! – mendoi ajo. Ç’ të ketë ngjarë kështu? Babai?”

Vjerrin e kishte lenë të sëmurë, por ai iu shfaq përpara dhe ende pa marrë mirë frymë nga lodhja i tha:

Bijë e babait, yt shoq e im bir sot na la.

Bëhu e fortë!

Kaq mundi të thoshte plaku e rrokullisi një lot të rëndë, ndërsa ajo, lëshoi valiçen në tokë dhe u turr benda.

U këput nga dënesjet dhe ra në gjunjë para tij. S’pa asgjë, s’ndjeu asgjë…, s’dëgjoi asgjë!!!

Ndjeu vetëm se po binte edhe ajo, tek afroheshin fëmijët aq të vegjël e nguteshin ta përqafonin.

U kishte premtuar t’u sillte dashurinë e munguar dhe lodrat që kishin mbetur në valixhen e hedhur në mes të oborrit. Mblodhi veten e i shtrëngoi fort në gji si të donte të ndjente për herë të fundit erën e duarve të tij.

Gjysma e saj udhëtonte shpresave që ata kishin mbjellur bashkë, ndërsa gjysma tjetër mbeti përjetë me fëmijët.

Thonë se akoma flet me të shoqin netëve kur ndjehet shumë e vetmuar…!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT