Femër
Nuk jam gjethe e tharë që mund ta rrëzojë vjeshta
As lule që mund ta këputësh e ta lësh të vyshket.
Jam si lisi i fuqishëm me rrënjë shumë të thella
Flori me vlerë jam, me shkëlqim që nuk ndryshket!
E dua diellin por dhe një rreze e artë më mjafton
Gëzoj për një pikë shiu që vjen në petalen e etur.
Nuk i dorëzohem brengës dhe kur trishtimi më mundon
Me sy të përlotur qesh dhe pas natës së zymtë e të pafjetur!
Si një dragua vazhdoj të luftoj me indiferencën e kohës
Nuk më mposhtin erërat, dallgët, tufanet e stuhitë.
Jam mbretëreshë e jetës dhe thesar me vlerë i botës
Dinjitetin dot s’ma ulni pse s’pranoj padrejtësitë!