Thursday, November 21, 2024
BallinaVitrina e libritAleksandra Pasko-PËRGJIGJA...

Aleksandra Pasko-PËRGJIGJA…

Ndonëse të gjithë kishin rënë në krevate, asnjërin nuk e zinte gjumi. Të nesërmen kishin për të marrë përgjigjen përfundimtare të analizes së Terezinës. Sa shumë kishte vuajtuar ajo, që ditën që iu çfaq ajo gjëndërr në gjoks e deri sot! Sa dhimbje, sa lotë, sa frikëra, sa vuajtje, sa shpresa e zhgënjme.

Qëndronte me sy të drejtuar nga një cep i dritares, nga dukej hëna e plote. Lutej që nesër të merrte një përgjigje të mire. Sa shumë e donte jetën! Sa shumë ëndrra kishte për të realizuar! Sa shumë donte të shikonte fëmijet e rritur e te martuar ! Sa herë kishte ëndërruar, që kur të bëhej gjyshe do të rriste nipër e mbesa. Sa keq i vinte për Gjergjin! Si mund ta linte ashtu në mes të jetës, të luftonte i vetëm për të rritur fëmijët! Shpesh e kapte ngashërimi, por nuk lëshonte zë, se nuk donte ta dëgjonin fëmijet e as i shoqi. Ah! Sikur nesër t’i thonin se analizat i kishin dalë mirë! Çfare do të bënte? As vetë nuk e dinte, por do bënte gjithçka te bukur e të gëzueshme…Sa do të donte të shikonte sytë e femijeve, pa atë frikën që i kishte parë tash sa kohë! Sa do të donte të dëgjonte hareshëm gazin e të gjithëve, atë gaz që i kishte munguar asaj shtëpie. Nuk e donte më heshtjen, as qetësine! I dukeshin ogurzeza!…

Ende nuk e kishte zënë gjumi, megjithëse kishte kaluar mesnata, kur u hap dera e dhomës . Ishte Gjergji!

-Ende nuk ke fjetur? Të vi pak e të rrimë bashkë? As mua nuk më zë gjumi.

Terezina i hapi vend në krevat dhe të dy qëndruan te përqafur e te heshtur, sikur numëronin sekondat që të vinte koha e përgjigjes.

-Mua më ndjen zemra mirë Terezine! Ti je mire me shëndet. Mire do të kenë dalë ! Jam i sigurtë!

Në vënd që të përgjigjej Terezina e puthi lehtë në faqe,pastaj në sy, në ballë. U kthye në krah dhe e pushtoi të tërin.Kishte nevojë të qëndronte ashtu deri sa të vinte ora e përgjigjes.

Në mëngjes heret, kur u ngritën, gjetën të dy fëmijët duke u lutur përpara figurës së Zojës.

Sa panë të ëmën varpuan dhe e përqafuan. Ishte një përqafim i gjatë, plot dashuri, shpresë.

Ora tetë i gjeti në spital. Fëmijet qëndruan pas dere. Ishin të heshtur e si te ngrirë. Një fjali do të ndryshonte gjithë jetën e familjes.

-Mirëdita,-tha Terezina, sa hyri në dhomën e mjekut! Nuk i kishte mbetur gjak në fëtyre. Nuk kishte më forca as të qëndronte, as të mendonte, as të shpresonte. Tani do të dëgjonte një fjalë. Vetem një! Sa vlerë kishte ajo fjalë! Ajo fjalë, ndante jetën nga vdekja, gëzimin nga hidhërimi!

-Ooo Terezina! Urime , urime! Te gjitha analizat kanë dalë mire! Mjeku kishte hapur krahet e priste që Terezina të vraponte për ta falënderuar. Por jo. Ajo qëndroi si e mpire e lotet i rrodhen çurk.

Fëmijët kishin dëgjuar bisedën pas derës. U sulen drejt së ëmës, dhe e përqafuan. U bashkuan me përqafimin e tyre edhe Gjergji, edhe mjeku. Tashmë ishin një grup njerëzish të lumtur, që nuk përmbaheshin dot!

Sa bukur është të luftosh e të shpresosh! Jeta të jep vuajtjen, por edhe gëzimin, ndaj kurrë mos e humbni shpresën!

Jeta,ndaj është e bukur, se ka motër fitoren!

Ata sot kishin fituar!

Ishin të lumtur!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT