Nuk kam qenë në Vjenën e valseve dhe të lulëzuar.
Nuk e kam parë në muze shpatën e trimit të kombit.
Po me lavdinë e tij në kohëra, natë e ditë kam jetuar.
Thirrjet e luftëtarëve i kam thellë brenda gjoksit.
U ndërruan shpatat me plumbat e nxehtë në kohë.
Në vend të kuajve dolën tanke, bomba e raketa.
Po lavdia e tij na vjen ende si një kurorë.
Për të asnjëherë nuk errësohet kujtesa.
Mbeti ai, luftëtar trim, me shpatën e zhveshur.
Urtaku që në shekuj me veprën do të na mësojë.
Në bedenat e kalasë na bëri luftëtarë sypatrembur.
Sfidantë të një beteje për vitet që do të jetojmë.
Mund të mos shkoj në Vienë për shpatën e trimit.
Mund të mos dëgjoj trokëllimat e qerreve të luftës.
Veç ai mbeti krenaria e tokës që e lindi dhe e rriti.
Me revanin e pandalur drejt malit dhe fushës.
Dolën harta të çuditshme për të egrat luftra
Me celularë, me flamuj në vaporë e avionë.
Po kujtimi ishte dhe mbeti pishtar i pashuar.
Me rrezet e lirisë zemrat do të na i flakërojë