Saturday, February 22, 2025
BallinaVitrina e libritEmi Krosi-Poema: Koha e klithmës tënde Kosovë!

Emi Krosi-Poema: Koha e klithmës tënde Kosovë!

“ Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj…
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji, dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:- më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt”
(Ali Podrimja)
I
Kosovë,
më lindi dheu yt!
Më rriti emri yt!
Përmes stinëve barbare,
sa luleshtrydhe u ngrinë,
ndanë gjerdheve të pranverave,
me lule të përzhitura petalesh,
plot formëgjethe të përbaltura,
kryeneçe gafllojnë…
Klithmon koha në pasmjegull,
në horizonte të grisura,
me copa gjaku,
që (ç)ngjyros retë…
Ja dhe pranvera!
E mjegullt,
kur u ula,
atje, afër një dritareje,
në autobuzin e fundit drejt Prishtinës, 37
ajo prangmbrëmje,
(më theu gjymtyrët e kujtimeve,
që i kisha fshehur në çantën time me libra të vjetra),
se nga gjurmët e errsinave të thella,
njerëzit zvarriten si një gafore,
duke numëruar grurët me lëkura,
të djegura,
që si eshka kanë ndezur,
brinjët e thata të reve,
që varen ishujve gri,
si zeniti, pezull mbi qytet.
II
sa xixëllonja,
u ndezën sonte,
mbi këtë taracë
ku jam ulur me një çaj në dorë,
duke soditur një yll të verdhë,
(kryqëzohet hëna,
që më në fund ishte në gjendje të ndalonte,
për shkak të kurbës së bardhë të kuajve,
se një rrezevjollcë,
ikën nga plaga portokall e qiellit),
kur shoh fushat e heshtura,
lakuriqe,
të qeta,
të rrafsha,
të fjetura,
ku ca barinj të dehur,
po kërcejnë rreth zjarrit.
III
një qiell i lugët,
ku gjijtë e reve pikojnë qumësht,
si brinjë zgjaten deri tutje,
se zogjtë, si krijesa të vogla fluturake,
(qenve të çalë, u thinjeshin buzët e rrumbullakëta,
të jargavitur, si një erë lëkure plot djersë),
kanë lënë një tuf kockash të bardha,
tufa-tufa, radhë-radhë
si emigratorë, në stinës e tyre të ikjeve…
IV
lidhur me nyjet e ditës,
kur jeta shter,
dhe mblidhet shuk mes gishtash,
ashtu nga plasat e dheut,
njerëzit ecin mbas njërit -tjetrit deri në Prishtinë.
Ashtu gërmuqe,
si figurina prej plasteline,
i zgjaten qytetit që me zor merr frymë,
varur shpirtrtat e lagur nga shiu i Rugovës,
janë thërmuar,
janë grisur,
janë çartur,
janë shterur,
janë thyer,
dhe ca pëllumba mbi një dritare,
me një shenjë të murrmë plumbi,
kanë glasur, duke flartruar nga Drenica,
(të gjitha vegimet e frikës,
mbi numrat e shtëpive të vjetra të Gjakovës,
kanë vetëm shenja të mureve pa dritare),
ashtu si shumësia e zërave,
që vjen e shkon,
shkon e vjen përtej gjethnajve të harresës.

V.
në altarin tënd,
kambanat e dhembjes së moteve,
gjëmojnë në përtejkohë..
…atëhere kur erdhi stuhia,
shkreptimat kafshuan oxhaqet,
përmes fluskaflakëve,
si yjet të përcëlluar në perëndimin e fundëm,
si ikanakë të heshtur,
një kryq gjymtyrësh nënvete,
mesprëmes baltërave të shekujve,
që ikin…ikin,
se ikjet janë të pafundme,
por kthimet si gjethurat e para,
të krijesave të ajrit
të lirë…
me një fëmijë të harruar në një stol,
duke zaptura të gjitha orët e kota,
të ngjyrave të tokës,
të lëkurave të hënës,
të ujërave të ndenjura,
të krismave të degëve,
të kujtimeve të ngrohta,
të dhomave pa grila,
të lagjeve pa emër,
të shtëpive pa drita,
masa L e kohës, sa një këmishë,
me trajta të panjohura,
që na largon nga rrugët më numra të njohur,
ku çelin shpresa të gjelbra,
që rilindën…rilindën,
nga mitrat e errëta të së ardhmes!
VI
qyteti ngucet brenda vetes,
jashtë vetes,
laget nga ujërat e tij,
qyteti më cyt,
në kohën e mallit të kalldrëmit të vjetër,
të Prizrenit.
Gongu ra!
Erdhi ora jote Kosovë!
Mitrovicë, Prekaz, Vushtri, Krushë, Ferizaj, 38
nuk kam asnjë pyetje,
duke u çapitur e lodhur,
kam matur hap pas hapi,
viset akoma me diell,
kurse udhët janë ngushtuar,
djerruar,
pjerruar,
ashtu hana e lugët,
prej ç’planetesh zbriti,
në honet e këtij ballkoni të vjetër,
si mijëra ninza,
kur kohën, kam tjerrur krejt mendimet e mia,
për natën dhe ditën prishtinase,
për prrallat,
mendimet,
labirinthet,
e krejt kujtesave t’Kosovës!
VII.
ne jemi filiza gjaku,
në genet e brazdave prej dhèu të ngrohtë mbjellur,
plot ylberethyer nën lastarë shelgjesh,
se mëngëgrisur,
ka mbetur kocka e supit tënd lakuriq,
përtejmurit rojet e mjegullës,
ngulin gardhe mumjesh,
në stina shirash meteorësh….
U nisën epokat,
në shtegtime shekujsh,
(zogj të vdekur flatrojnë në strehë të kalbura),
statujat e pluhurta të përtej Drinit,
fluturat cullake,
në shpatet e boshtrash luleverdha,
të ciknim symbyllazi breshkanën Dranje, 39
ku gjurmëbora është shtatore vocërrake,
që lyp akoma Migjenin…
VIII
nata,
shkon deri në mishin e vetvetes,
duke u rrotulluar rreth kodrave të zbrazura,
pa ujë dhe drurë,
vetëm copa dherash të njoma,
të shkrifta si buka të pjekura me saç,
(një bust-hije kurorëzuar me dafina,
vizaton erën në mur,
degët e thyera që vallëzojnë,
rreth hënës,
një me një, dy me dy),
kur hijet zgjaten dhe brinjët e mia
u thyen të gjitha,
të gjitha me radhë,
me tjegullat e mykura,
u shkri dielli, dielli, dielli,
kur dita u mbyll bashkë me zërat,
dhe pak gjurmë si varra,
anës hotelit “Hilton” të Prishtinës.
IX.
mëngjezet, me ca krijesa të ajërta,
se ajri qenka krejt i ftohtë,
matanë qytetit, ikanakët janë kthyer,
po, po, janë udhës së nginjur me gjak,
dhe unë e ndiej frymën e tokës së nginjur me ajër,
dhe ndiej breroren e maleve,
si aurë mbi pjergullat e avllive të thata,
në shtëpitë e vjetra me suva të rame,
ku copëra kukllash janë hallakatur,
nga mijtë, që kanë ndukur magjet,
përmes vrimave të dritës!
X.
qenka një diell, aq i bukur sot mbi Prishtinë,
ajri me krahë dantellash tejpërtej shpon hapsirën
e Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Pejës deri tek Molla e Kuqe,40
se ashtu vërdallë endem edhe unë,
për zemrekun e orës së vjetër të Preshevës,41
për kureshtinë e brengave të zogjve,
për kujtesën e lumit të Llapit,
për fluturimin e fluturakëve të verdhë,
për dritëhijet e stinëve,
për pikëlimat e muzgjeve,
për kohëikjet e vjeshtave,
për shtratin e lagësht të shiut,
dhe ashtu mijëra duar me përfaqime të bardha,
që shtrihen anembanë ashtit tënd Kosovë,
ashtit me eshtna të thyera,
me ngjyrat e një tjetër stine,
me tingullin e hollë së amullisë së gjërave,
ku një pe aq i hollë përshkon gjymtyrët
e qytetit të thinjur,
të plakur,
të moshuar,
të thyer brinjë më brinjë,
një tingull i forte kënge,
“xhamadani vija-vija/asht’ Kosova/asht’ Shqipëria”
ka veshur me drita ta forta
(një billbord gjigand të Ibrahim Rugovës).

XI.
u mbusha me ajrin,
që prush pranvere, pikon nga rranjët e dheut,
dhe kockat e vjetra të list,
janë gufatur nga ringjallja,
që frymon mbi agsholet lara-lara
të diellit të Fushë-Kosovës.
XII.
Ka ardhur pranvera Kosovë?
Pranvera,
me durat e stinës së gjelbër,
ku rranjët e dheut kanë çelur sythe të reja,
dhe arat janë të ngrohta,
për mbjelljën e grurit,
se gjithë damarët e dheut
po frymojnë drejt lulimit të ri,
në hullitë e vjetra,
shtrojat e verdha të barërave të kuqe,
kanë zgjatur kokat nën lëkurat
e njoma të fiereve të reja,
nga drita, nga drita,
nga drita e agut të brymtë,
brinjëve të udhëve të vjetra dhe të reja,
dhé mbi dhé,
brinjë mbi brinjë,
degë mbi degë,
lëkurë mbi lëkurë,
gjemb mbi gjemb,
fyt mbi fyt,
shpirt mbi shpirt,
kurm mbi kurm,
ujë mbi ujë,
zaje mbi zaje,
në Prizrenin e Lumbardhës, 41
rranjë mbi rranjë,
në përgjumjen e maleve si murgj të vetmuar,
pa arna ndryshku,
në zgjimin e ri,
në gjallmimin që më dha vargu im i çlirët,
nga shpirtit i qetuar i kângës time të lirë!
XIII.
Tashmë, pluskojnë qytetet nën kujtime,
(dhembjet i kanë stivuar aq bukur,
saqë nuk i lëmojnë më,
si pajën e nusërisë në musandrat e vjetra.
As dua të flas më për luftën?
As vdekjen?
As frikën?
As varrte?
As heronjtë?
As atdheun?),
se qenka aq vapë sot në këtë mesditë korriku,
saqë dheu ka marramendje,
e rënduar si grua shtatzanë,
dhe në karvanin e udhëtarëve drejt Shëngjinit,
Durrësit, Vlorës,
drejt Adriatikut të vjetër dhe të ri,
(se “Rruga e Kombit” qenka plot, plot, plot),
drejt detit patriotik,
drejt plazhit patriotik,
drejt turizmit patriotik,
oh, kjo mesditë sot,
edhe gjinkallat,
edhe bulkthet e natës,
se njerëzia,
qytetet,
tingujt,
frymat,
krijesat,
janë zgjatesa plazmike te edemës së vazhdimësisë,
në natën e hënës së ngrënë,
në një tokë të nginjur me liri,
qytete, qytete të kthyera në Perandorinë e nimfave të bardha,
saora të lira, të lira, të lira!
XIV
Më në fund Kosovë!
Erdha,
mbërrita me trastën e mijërave fjalëve,
grindavece,
nervoze,
tejkanjoze,
mburravece,
xheloze
se fjalët i kam marrë në krahë
plot nur, pezull mbi gjoksin tim,
tundat’tjeta Kosovë!

37 Pishtina, kryeqyteti i Kosovës.
38 qytete, po në Kosovë.
39.Dranja, personazh i njohur i Camajt.
40 qytete, po të Kosovës.
41 Presheva, pjesë e Kosovës Lindore të mbetur në Serbi.
42 lumi, mespërmes Prizërenit.
( Prishtinë, pranverë 2000)

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT