Tuesday, June 24, 2025
BallinaNgjyra jeteBesim Hoxha-PANOJA E ABSOLVENTËVE

Besim Hoxha-PANOJA E ABSOLVENTËVE

Si absolvent dhe kryetar i grupit të letërsisë në vitin e katërt, më ra hise përgaditja e panos së absolventëve te një nga studiot fotografike të kryeqytetit.
Në pjesën qendrore të panos dëshirë e imja ishte që të vendosej një punim i bukur në pikturë, që do të simbolizonte: punën, mundin dhe misionin e pishtarëve të artit letrar gjatë historisë.
Vendosa të kërkoja ndihmën e një piktori të ri, që atyre viteve sapo kishte fillluar bashkëpunimin me gazetën e studentëve: ” bota e re”.
Ideja ime piktorit dhe kolegut tim nga i njëjti fakultet ku studioja edhe unë, iu duk demodé.
Nuk më mbeti tjetër, pos të improvizoja diçka vetë.
Vendosa ta preja faqen ku ishte portreti i kolosit të periudhës së Romantizmit në Letërsinë Shqipe, Naim Frashëri nga njëri prej vëllimeve të kompletit të veprave të botuara nga “Rilindja”, të cilin e kisha blerë atë vit.
Botimi ishte nga seria e botimeve luksoze të “Rilindjes” asokohe, me kopertina lëkure, ngjyrë jeshile dhe shkronja që dukeshin të lara nga ari. Zgjodha edhe një strofë nga poezia: “Fjalët e Qiririt”, të cilën me bukurshkrim do ta punonte fotografi.
“Unë zjarrit nuk i druhem
dhe kurrë s’dua të shuhem
Po të digjem me dëshirë
Sa të mund t’u ndrij më mirë.”
Pasi fotografisti kishte përfunduar punën me përgaditjen e panos, fillova me shpërndarjen e saj te të gjithë ata që ishin pjesë e panos, profesorë e studentë.
Për t’ia dorëzuar fotografinë e panos profesorit të Estetikës, Akademik Rexhep Qosja duhet të shkoja në Institutin Albanologjik. Shkova drejt në zyrën e profesorit në katin e parë, por atë e gjeta të mbyllur. Njëri nga punonjësit e Institutit që kaloi në korridor më tha të shkoja në byfe, me siguri se do e gjeja atje me një mysarir të tij që kishte ardhë nga Zagrebi ku ishte në specializim apo punonte atje.
Profesori më ftoi t’u bashkohem dhe të porosisja çfarë të dëshiroja.
Pas pak ia dhashë një kopje të panos që ishte për të. I pëlqeu shumë. Me një fotografi të Naim Frashërit në mes, dhe një strofë të zgjedhur nga “Fjalët e Qiririt”.
Më bëri përshtypje afërsia dhe bujaria e profesorit për dallim nga profesorët e tjerë që i kisha ftuar për t’u bërë pjesë e panos, dhe në zyret e tyre më kishin pritur me qëndrim të ftohtë akademik. Profesori ynë i dashur i Estetikës, përveç shifrës që duhej paguar për panon prej secilit prej nesh, më qerasi edhe me pije në byfenë e Institutit, ndërsa kolegu i tij, profesori me faqet kuq si molla, I.Sh., as që e përmendi pagesën. U detyrova të paguaja unë për të, ashtu siç pagova për panon e një shokut tim, që për arsye “patriotike” nuk më pagoi dhe nuk ia kërkova paratë, sepse shkëmbenim libra të ndaluar në mes vete.
Për panon nuk m’i dha të hollat as një kolege e imja, bukuroshja dhe sykaltroshja që të shitonte me shikimin e vet si zana. Ajo në këmbim më ofroi një fotografi, nga disa prej fotografive që na i dha fotografi përveç panos. Nuk ia mora foton se kisha frikë se ky peng do të më mbante të lidhur për të gjithë jetën, aq më pak kur ajo ia kishte dorëzuar zemrën një tjetri.
Vite më vonë, ajo që ulej në një bankë me mua, që dridhej si thupra në ujë dhe kërkonte ndihmën time gjatë pyetjeve dhe ushtrimeve me asistentin e Letërsisë së Sotme Shqipe, të ndjerin Basri Çapriqi, nuk kishte denjuar të pranonte ftesën time të miqësisë në Fejsbuk. Tani ajo kishte shkuar shumë lart në karrierën e saj në politikë, duke qenë pjesë e partisë më të vjetër me fillimin e pluralizmit politik në Kosovë.

P.S.

Ky shkrim, bashkë me dy shkrime të publikuara më herët bëjnë një tërësi që më vonë mund të publikohet në një titull.

1.Ligjërimi

2.Diferencimi

3.Panoja e absolventëve

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT