Sunday, August 3, 2025
BallinaVitrina e libritGori Stafa -NË PALËVIZJE. NË NJË PRITJE.

Gori Stafa -NË PALËVIZJE. NË NJË PRITJE.

Shtrihem në shtrat, në palëvizje.
Në një pritje.
Një mendim shpon trurin tim të paralizuar:
“Tani do të vijë”.
Dhe ja, në errësirë shfaqet
fantazma e shkrimtarit tim.
Unë, në palëvizje,
në një pritje.
Përse ai merr te skrivania pranë shtratit
ca fletë nga dorëshkrimet e mia?
Përse i gris me ngadalje?
Pastaj afrohet pranë murit,
vizaton aty ca ndërtesa të verdha,
që qëndrojnë mbi ca dallgë,
mbi ca dallgë që ngjajnë
me kafka njerëzish e shpendësh.
Unë, në palëvizje,
në një pritje.
Përse një mjegull e ftohtë
mbulon mendjen time?
Unë zmbrapsem në këndin tjetër,
në një kënd
që më largohet e largohet.
Në palëvizje.
Në një pritje.
Kam menduar të vishem si shkrimtari im.
Të gris dorëshkrimet e mia,
duke imituar lëvizjet e fantazmës së tij?
Më pas t’i mbledh e t’i ngjis copat e grisura?
Të vizatoj në mur ca ndërtesa të verdha,
që qëndrojnë mbi ca dallgë,
ca dallgë që ngjajnë
me kafka njerëzish e shpendësh.
Në një palëvizje,
në një pritje.

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT