Një vogëlushe, me duart e zgjatura,
ecën në terrin e natës, me këmbët e njoma.
Veshur me një fustan lulesh të gjelbra,
dy gërsheta i vareshin mbi supe,
të thurura sa për të thënë…
“dikush më deshi dikur.”
Nuk ndalej, vraponte,
të arrinte diku, pa e ditur ku.
Në errësirën pa hënë,
sandalet e lodhura ia rëndonin hapat.
U ndal, si era që ndalon befas.
Me një fije shprese në sytë e përmalluar,
i braktisi sandalet,
të preferuarat e saj.
I flaku me dënesë në koshin e mbeturinave.
Pastaj…
vazhdoi të ecte,
këmbëzbathur,
pa shpresë,
në terrin e natës
me fustanin e gjelbër që i valëvitej pas.
