Nënën e pashë shpesh të qante,
lotët i fshihte, asnjëherë s’i tregonte,
me zë të butë më thoshte: “Më dhemb koka”,
e, zemra e saj vuante, s’kish fjalë që e ngushëllonte.
Para portës së burgut, lotët nuk i ndali,
rëndimet e historisë pa fjalë i përcolli,
pushkatime, internime, familje të thyera,
ato fëmijëri të shuara si kujtim i ngurosur.
Dritat e shtëpisë u fikën nga ankthet,
nënës i rrëshqitën vitet me thinja,
kur fluturuan plagët, kur u nda fëmijëria,
dhe liria u la mes grushteve dhe heshtjes.
Nëpër burgje, me poezi i këndoja lirisë,
me lotët e nënës në shpirt e me shpresën zjarr e hi,
atëherë e kuptova se jeta qenka luftë,
dhe vetëm kujtimi mbetet, i pathyer, i ngulur.
