Kosova e pasluftës çlirimtare u përball me një provë që historia ua rezervon vetëm kombeve të vogla, por me barrë të madhe morale: provën e vetvetes. Çlirimi nuk ishte fundi i rrugës, por fillimi i një beteje më të vështirë – asaj për shpirtin, identitetin dhe orientimin civilizues të shtetit të ri. Kjo betejë u bë edhe më e brishtë pas vdekjes së arkitektit të madh të pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova.
Rugova nuk ishte thjesht politikan. Ai ishte filozof i durimit historik, mendimtar i identitetit dhe simbol i një Kosove që e shihte veten natyrshëm në Perëndim. Fryma e tij ishte Dardane në thelb dhe euro-atlantike në orientim. Në këtë kuptim, Rugova përfaqësonte një projekt civilizues, jo një pushtet të përkohshëm.
Pas largimit të tij fizik, Kosova nuk e humbi menjëherë këtë frymë, por gradualisht filloi ta zëvendësojë atë me heshtje, konformizëm dhe devijim. Në emër të tolerancës, u tolerua ajo që nuk ishte as tolerancë, as pluralizëm, por import ideologjik i huaj, i cili nuk buronte nga tradita shqiptare. Ndërtimi masiv i xhamive të financuara nga interesa të jashtme politike dhe fetare nuk është problem besimi, por problem filozofie shtetërore. Shteti nuk rrezikohet nga feja, por nga instrumentalizimi i saj.
Në këtë kontekst lind kundërvënia e pashmangshme simbolike: Sulltani dhe Gjergj Kastrioti nuk mund të ecin së bashku. Njëri përfaqëson nënshtrimin perandorak, tjetri rezistencën kombëtare. Njëri simbolizon pushtetin mbi identitetin, tjetri mbrojtjen e identitetit përballë pushtetit. Çdo tentativë për t’i pajtuar këto dy figura është falsifikim historik dhe mashtrim filozofik.
Nuk është rastësi që sulmet ideologjike sot drejtohen ndaj figurave që përfaqësojnë moralin universal shqiptar: Nënë Tereza dhe Gjergj Kastrioti. Ata janë dy pole morale – humanizmi dhe liria. Kush i mohon ose i përqesh këto figura, në thelb mohon vetë mundësinë e një etike kombëtare. Prandaj, pohimi se “ata që i shajnë Nënën Terezë dhe Skënderbeun, asgjë nuk pritet prej tyre”, nuk është ofendim, por diagnostikim moral.
LDK-ja, si subjekti që historikisht duhej të ishte bartëse e frymës Rugovjane, sot gjendet në krizë identitare. Jo për shkak të humbjes së pushtetit, por për shkak të humbjes së ideales. Kur një parti humb filozofinë, pushteti bëhet i parëndësishëm. Në anën tjetër, te Presidentja e Kosovës vërehen sinjale të një fryme Rugovjane – jo si nostalgji, por si orientim. Edhe pse brenda spektrit politik ka përplasje dhe grupacione të kundërta, këto sinjale tregojnë se fryma nuk është shuar plotësisht !
Ismail Kadare e përmblodhi këtë dramë shqiptare me një fjali therëse:
“Nga shqiptarë të sunduar u gdhimë në muslimanë të çliruar.”
Kjo nuk është kritikë ndaj besimit, por paralajmërim për zëvendësimin e identitetit kombëtar me identitet fetar politik, një proces që historikisht ka sjellë vetëm varësi të reja.
Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe fenomeni tronditës i shkuarjes së qindra shqiptarëve në luftëra të huaja, veçanërisht në Siri. Kjo nuk ishte rastësi, as devijim individual, por sinjal alarmi i një projekti të rrezikshëm ideologjik, i cili synonte ta shkëpuste shqiptarin nga identiteti i tij kombëtar dhe ta zhvendoste nga orientimi euro-atlantik drejt konflikteve që nuk kishin asnjë lidhje me historinë, interesin apo fatin e tij.
Një popull që deri dje luftonte për liri kombëtare dhe shtetësi, u shty drejt luftërave të huaja në emër të një universalizmi fetar të rremë. Kjo ishte goditje e drejtpërdrejtë ndaj projektit perëndimor të Kosovës, sepse një shqiptar i radikalizuar fetarisht është qytetar i dobët për një shtet laik dhe pro-perëndimor. Këto lëvizje nuk ishin spontane, por rezultat i indoktrinimit sistematik dhe tolerimit institucional.
Prandaj lind kundërvënia e pashmangshme simbolike: Sulltani dhe Gjergj Kastrioti nuk mund të ecin së bashku.
Rasti i rrëmbimit të profesorëve gylenistë nga shërbimet Turke, pa vullnetin dhe dinjitetin e shtetit të Kosovës, është dëshmi konkrete se sovraniteti nuk cenohet vetëm me tanke, por edhe me heshtje institucionale. Aty ku shteti hesht, hyn perandoria.
Në fund, pyetja filozofike mbetet e thjeshtë, por vendimtare:
A do të jetë Kosova shtet i qytetarëve të lirë me identitet shqiptar dhe orientim perëndimor, apo territor i ndikimeve të huaja me flamur formal dhe shpirt të huaj?
Rugova e kishte dhënë përgjigjen. Sfida jonë është ta kuptojmë – dhe ta mbrojmë – para se të jetë vonë !
