Papritmas dëgjova një bisedë në gjuhën time…
u ndala.
Ktheva kokën prapa,
dhe për një çast pyeta veten:
Ku jam?
Por mendja m’u kthye shpejt:
jo…
nuk jam në atdhe.
Ai është larg,
larg nga unë.
Një valë nostalgjie më pushtoi,
kujtoja rininë time të ëmbël,
hapat e hedhur rrugëve të jetës,
ato vite që nuk kthehen më.
Më erdhi ndër mend shkolla,
drita e diturisë,
aty ku u rrita,
aty ku loti më pikoi pa zhurmë.
Ditari i parë në dorën time…
faqe të bardha,
zemër plot mall.
Nuk dija orë, as data,
por dija se ato ishin
çastet më të ngrohta të jetës.
U bëra mësuese e fshatit tim,
me mund, me sakrificë,
me shpirt të pastër.
Sytë e njerëzve ndryshuan,
përshëndetjet u bënë më të heshtura,
por plot respekt.
Nderi për bashkëfshatarët e mi
ishte ligj i pashkruar,
dhe përgjegjësia ime — e shenjtë.
Edukatore brezash,
një barrë e madhe,
por krenare.
Sot,
malli, nostalgjia dhe krenaria
bashkëjetojnë në mua.
Në kujtesën time
ato ditë nuk fshihen kurrë.
Dhe sa herë i kujtoj,
lotët më kujtojnë
se kam jetuar me kuptim.
