Buzëqeshi dita gjer në mrekulli,
dhe jeta mori të ëmblin kuptim,
si zogëz pranvere në krahët e mamit,
lumturofshi të dyja në fluturim.
Sikur lulet e bukura ditën e marsit,
çelën dhe sytë e tu si drita,
dhe ninullat çelën,
si gërma mbi petale,
ti poezia më e bukur,
ndër mijëra vargje.
Përqafet mëngjes’i dashurisë,
si rrezja e diellit
mbi zambakët e ujit,
si ylber me ngjyra,
si aroma e blirit,
ti melodi e brishtë,
je aurorë e shpirtit.
Dhe qeshet jeta në të voglën çerdhe,
si qielli me yje nën madhështinë e hënës.
e bekuar për mamin e babin erdhe,
mbretërofsh e bekuar,
në zemrën e nënës.
