Arianna Mosconi ka lindur në Romë (Itali).
E dashuruar me artin në të gjitha fushat dhe format e tij, që në moshë të vogël ka kultivuar pasionin e saj për këngën, aktrimin dhe shkrimin përmes poezisë dhe tregimeve të letërsisë për fëmijë. Ka botuar dy tregime: “Iolanda dhe pasioni i saj për shkrimin” Texmat (2016) dhe “Elena rebelja” Texmat (2018).
Ka marrë pjesë në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, duke fituar një vlerësim denjë në këtë fushë. Ndër çmimet e fituara, kujtojmë veçanërisht “Çmimin Special për Fëmijërinë 2017”, me kumbare nderi Dacia Maraini, ku u rendit e treta me poezinë “Nonna – Gjyshja”, si dhe çmimin letrar “Diciamolo con la poesia – Ta themi me poezinë, 2026”, ku u rendit e para në seksionin “Çmimi për kulturën” me poezinë “Barku i Paqes”.
Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë, si greqisht, anglisht dhe shqip; ato janë botuar në revista të shtypura dhe online, si: “Alessandria Today”, “Orfeu”, “Gazeta Nacional”, Miriade, Transformisti, Helvetikal Forum, Gazeta Destinacioni, Gazeta Ciceroni, etjer…
Arianna ka qenë finaliste në konkurset e organizuara nga Jacopo Lupi Editore dhe Astra Editore me tregimin “Cambiamenti – Ndryshime”, si dhe finaliste në konkursin kombëtar “Decisamente Corti – Vendosmërisht të shkurtër” me monologun “Cerimonia in Pompamagna – Ceremoni në Pompamagna” me të cilin ka debutuar në teatrin e San Lorenzos.
Gjithashtu, poetja në fjalë ka marrë pjesë në disa evente kulturore si lexuese në territor.
PRITJA E AGIMIT
E nëse ndër kohëra do të dergjem në përvuajtjen time,
shpirti do më zhubravitet duke u plasaritur
mbi brigjet e trupit në pritje
të një agimi
që në vagëllimë të shfaqet.
E nëse në të, një baticë nuk do e gjej
që në tokën e palëvizshme ta prangosë,
mësomë të lë gjurmë nga vetja,
jo kohës që e dëshirueshme përshpejton
hapin e saj të brishtë.
E nëse në skutat e ndjenjave të mia
do të përhumbem,
harro edhe për mua,
me një gishtëz dashurie
sërish më shpjer
mbas teje ankoruar.
E nëse në hapësirat e mia të dlira
do të humbas fragmente jete,
tek ty gishtat e mi, qepi.
I dashuri im që sipas mënyrës sime ndryshon,
vetveten më ndryshove,
së cilës përpiqem t’i bashkohem,
në një shtrat të palodhur fjalësh,
për të qetësuar dje si sot
pulsimet e zemrës.
Për ty,
që pëllëmbën tënde
mbi timen vendos,
si një popull që themelet
tek Zoti i tij gjen.
Në barkun e paqes,
në barkun e Marisë,
paqja nuk ka ngjyrë eboni,
as aromë ulliri,
për trupat e kryqëzuar në fatin e tyre,
të privuar nga i kaltri mëngjes,
teksa qielli i mëshirës
ndaj shikimit të tyre,
duket i pajetë.
Në barkun e Marisë,
në atdheun e saj me musht dhe mjaltë,
paqja rritet si valë deti,
në intensitetin e saj,
për çdo plumb
që një fëmijë ia del ta shmangë.
Paqja
si luledielli mes shkurreve rritet,
sapo goja arrin të ngopet.
Dhe në sytë e nënave
në radhë për ushqim,
Shën Mëria e pikëlluar reflekton,
tek ato
që duken zhgarravina pa jetë.
GJYSHJA
Të të takoj jam gati
tani që një vezullim
në sytë e tu perëndon,
ndërsa më mban duart
e më buzëqesh
me krenarinë tënde.
Botën
edhe një herë të pëlqen ta sfidosh.
Mbështjellë në aureolën tënde të paqes,
tek ti më duket sikur shoh
një trumcak të frikësuar,
gati të tmerruar,
që ka nevojë të qetësohet
me tërë zemrën, të përkundet.
Gjyshe,
e ndjen ende
dashurinë time të madhe,
që në gjithë universin shpërndahet?
Edhe pse je e izoluar,
nga një re e praruar,
ende mbi këtë tokë
ti je e evokuar.
Gjyshe,
ti që më mësove të luftoj
dhe gjithnjë e më shumë
të shpresoj,
që më ke dhuruar
gjithmonë gaz dhe hare,
edhe pse me sytë e tu të thellë
veshur nga një hije trishtimi.
Gjyshe,
tashmë unë e di…
ti jeton e qetë
atje, në pafundësi.
Ja përkthimi në shqip:
VETMI PËRSIATJEJE
Gjendem e vetmuar
teksa qëndis shpirtin e copëtuar.
Ndiej formën e tij,
si akllaz i rrudhosur
mbushur mijëra aromash.
Mban erë agrumesh,
të një flladi të lehtë shpënë nga deti,
ka shije kripe,
ky shpirt i vetmuar dashurie.
Trung ulliri shekullor,
gërshetuar nga stuhi të brendshme,
asgjë dhe askush nuk mund ta gjunjëzojë,
edhe pse është i rrënuar
nga një pafundësi dhimbjesh.
Shpirti im rilind nga hiri,
është një feniks vagabond,
pulëbardhë e dashuruar,
ka nevojë për hapësirat e tij të vetmisë
për t’u shplodhur.
Si një kameleon që ndërron lëkurën,
vetminë mbështetje e ka,
që të kthehet të ushqehet me yje
e të gëzohet në lumturi.
Përktheu: Angela Kosta
