N’burg t’vetmisë
në nji qeli me harresën
shënoj ditët n’mure
shpirti
Natën,
e thirr kujtesën
me mi çelë syt,
me lexue terrin e botës
e terri më ban me ndij
vetveten.
Vetmia m’ban shoqni
me tinguj vaji t’nji zogu
t’plaguem n’zemër
zani i tij asht zani jem.
Asnjiher nuk knova
ma dhimshëm,
asnjiher se ndjeva vedin
ma t’përmallueme
për qiell…
Vetmimi,
asht shoqni me veten,
kuvendojm me za t’brendshëm
n’dialekte zemre
me kode shpirti,
prekje
frymë ndjenje,
shkronjat janë prej gjaku
e fjalt prej dhimte
t’skalituna n’rreze
shprese…
Vetmimi, urë lidhje
me Zotin
si toka me diellin,
akt lutje i qënies time
në miniaturë
që ndjen dhimbjen e universit…
