Ti je
Me thanë që je
shtegtim pa cak
rrugë pa kthim
fjalë që shkruhet kënga
Me thanë që je
lutje e mbrëmjes
shpresë agu
tis në sytë e një vashe
Me thanë që je
baladë shpirti
lirikë e harlisur
rimë ne secilin varg poeti
Po them që je
etje e re
gurë lumi mbi të cilat
kërcen një cigane e hirshme
FJALA E FUNDIT
Shaj çdo gjë që ke me nënë e motër
se fjala di të bëjë vetëvrasje mizore
trajtat e pathëna mbeten peng
nuk dalin assesi nga buza jote
Shaj
fyej…
Ulërij deri në shtatë palë qiej
se kurrë s’do t’ia gjesh kuptimin jetës
mëngjeseve të truara që lindin përditë
shaj me babë e bir
lozonjar i shekullit pa emër
kërko të dalësh nga lëkura
ku të është shkruar biografi e rreme
O botë e marrë
a do t’ia thuash përgjigjen e fundit
krejt një përgjigje do nga ti
t’i vijë nga oshtima e lumit
t’ia shuajë etjen
nga kjo jetë të mos ikë i etshëm
i mjeri njeri
Jepi forcë ta thotë një fjalë
të pathyer eshtrash
ta fal një buzëqeshje
pa helmin tënd n’buzë
tevona, nuk do të vdes i zhveshur
pa thënë as edhe një fjalë të fundit
ti pjellë e shartuar mëkati
botë mizore pa projeksion
mbytur në ëndrra mbetesh natën
ditën derdhe miliona lot
Fjala jote e fundit
klithmë e egër
njeri!
Sonte dua të pi
Po e pi një gllënjkë
edhe një tjetër
edhe një tjetër
deri në pa kufi
sa t’i shtjerr krejt gjinjtë
botës shterpë që me bënë sehir
dua të pi
për vdekjen e pamort
që mbylli kapitullin e ri
të gjithë do të ikim një ditë nga kjo botë
tek shikojmë vëngër jetën bardh e zi
Sonte dua të pi
të dehem me lëng malli a raki
zogjtë e zgjimit le të flenë
përrallave nën çati
se të njëllojta janë ikjet
përmalljet dhe zhgënjimet…
Të njëllojta janë edhe dashuritë!
Rrënjët e jetës
kurmin e kanë të hidhët
mu si kjo gotë raki e lot
ku po i mbys dhimbjet
vdekjet e mia edhe sot
E dini që kjo gllënjkë
është mëkati më i bukur
shpikur ndonjëherë
i ngjanë lutjeve të mbrëmjes
kur zhvishet hëna
tek qon dashuri me djallin
e bashkë i pjellin të nesërmet pa vlerë
Unë prapë dua të pi
se nuk ka zgjime me të hidhëta
se çdo fillimvit
edhe pse psalmet e reja buzët mi puthin
fustanet e ndjenjave të kuqe
prej kohësh i kam djegur
nuk dua dashuri Narcisi
ku të ngjizet jeta prej perëndish të rreme
Vërtetë sonte dua të pi
të dehem
të zgërdhihem deri bregagut
të qoj dolli për vdekjen time
ta dini
kam vdekur disa herë deri me tash
edhe pse shpirti me ikë nga funerali
varrin kurrë s’ma gjejnë
sot e njëzet vjet vdekur kam
me heshtjen time kam shkruar epitaf
për sytë e Homerit
prangat Promete
për dhimbjet
dhe vdekjet e mia të pasosura
për mallit që me fle
mbi sy
PËR TY
Krahët e dallgës
Kur rëra e bardhë rrëzohej
poshtë krahëve të dallgës
ndër vena ziente gjaku
qielli i paskaj shikonte veten
në sytë e mi
Mos më shiko në sy i thashë
mbytesh në vetminë time
horizontet s’i përqafon dot
kaloi shumë kohë që atëherë
dhe hija ime s’më ndoqi më
unë, kalorëse e trembur
fshehur nën flokun e hënës rri
me gëzofin kthyer nga tërbimet e erës
Vetën e shumëzova disa herë
veç për t’i rritur kallinjtë e ëndrrave për ty
