Unë vij në Prekaz
mbi kalin
e pikëllimit
prej plagosjes së natës
që s’fle
nga ngashërenjat
prej heshtjes
të njeriut
Se këtu fjalët
i ka zënë gjumi i madh
i tokës
të skuqur
si flamuri
nga gjaku
Unë vij në Prekaz
e çmendur
nga drithërenjat
dhe përpëlitjet
e Hënës
nga vezullimet
yjore
prej përshkënditjes
fosforeshente
të eshtrave
të njeriut
Unë vij në Prekaz
dhe ngrij
e palëvizur
si mermeri i varreve
nën harkun
e violinave
të vajit
të fijeve të barit
që qajnë
nga mungesa
e hapave
të fëmijëve
Poezi nga Elida Buçpapaj