I LASHË TË TËRA VEÇ TY JO
I nisa vargjet të lira në fluturim,
Hapsirës së pamatë si pëllumba ato;
Nëpër qiell një copë e shpirtit tim
Le ta shohin të gjithë, veç ti jo!
E lashë lotin pikë – pikë në faqe
Butësisht të rrjedhë, të më ngrohë.
Pa pasur turp, është zë shpirti
Le ta dëgjojnë të gjithë, veç ti jo!
I lashë fjalët e këngës sime
Lirisht, ëmbëlsisht të enden ngado.
Sa bukur kur të shkojnë te njerëzit,
T’i lexojnë të gjithë, veç ti jo!
I lashë të lira ato pak gjëra të shtrenjta,
Gjithë sa pata gëzime të jetës.
Por e sinqertë të jem, ty s’të lë kurrë,
Të kam dashur dhe do të kem pranë vetes!
