Në pragun tënd thërret heshtja,
si një plak që pret mysafirë,
e mysafirë nuk ka.
Dritaret i ke sy të zbrazët,
shikojnë vetëm erën,
që hyn e del pa pyetur.
Muret mbajnë frymën e fundit të zërit,
një të qeshur që të rri pezull
diku ndër qoshe,
Një klithmë të largët fëmije
që sot është grua
dhe një aromë kafeje turke
që s’e piu askush.
Shkallët lodhur duke mos u ngjitur,
dhe dera, e mbyllur prej kohësh,
ka harruar zhurmën e bravës.
Bari, të zgjatet si fjalët e pathëna,
grinden mes njëri-tjetri,
në pritje që dikush ti shkuli majën.
Shtëpia pa njerëz, faj i vetvetes!
Të kalbura fjalët të dala boje
ku gëzhojat e premtimeve zbrazën fshatin,
dhe buka iku pas bukës,
deri në kufijtë që s’i shihnin as ëndrrat.
Ah, prag i bekuar dhe i mallkuar,
zemra jote ende rreh…
Asnjë, askush nuk vë veshin ta dëgjojë!
