Kjo letër…
Kjo është një letër që shkruaj për ty,
e di, nuk do përgjigjesh kurrë,
se… unë kurrë nuk do shkoj
tek kutia e postës
në “gojën” e saj t’a hedh
Kjo është një letër që më mirë mos e lexosh,
se… kam shkruar “egër,”
që kur nuk je
kjo fletë mbi tavolinë
e bardhë ka mbetur
Mos mendo çfarë do kem shkruar,
posteri kurrë nuk do arrijë,
e kam vetëm për vete, pjesën per ty,
akoma s’e kam nisur
Ndaj pije kafen e mëngjesit si çdo ditë,
më prit në të njëjtin orar,
mund të vonohem ose mos vij,
por ti je mësuar me këtë ritual..
E mos u bëj kurioze asnjë ditë,
telefonit mos i bjer të më dëgjosh,
kjo fletë è bardhë,
e bardhë ka mbetur aty,
në pjesën kur do shkruaja per ty.
Ndoshta një ditë mund t’a fut në zarf,
ti vë një pull e një adresë,
por kjo letër nuk do arrijë kurrë,
se atë ditë postieret do jenë në grevë…
dhe as unë e ata nuk dinë
ku ti jeton…
