Ti më ke pritur dhe më pret
në të gjitha ditët,
në të gjitha muajt,
në të gjitha stinët,
(të gjitha pritjet mbajnë emrin tim…)
Luleborave u këndoje këngën
që këndoja unë. .
Lutja jote djegur buzëve
“mos shko mos ik”
yjezjarri rrëzonte nën qerpik .
Ti më ke dashur sa s’thuhet,
por unë jam grua prilli
vij vetëm me lulet…
Por unë jam grua prilli
vij me dallëndyshet
me sqepin e tyre thurr këngën e mëngjesit.
Vij dhe sjell pranverë!
(Nën këmishën e pranvertë
nxjerrin krye lulezjollcat)
Ti më ke dashur sa s’thuhet
ti më ke pritur një jetë…
Në zemrën tënde tani e di,
dallëndyshe tjetër s’ do të ketë.