Shkruan profesor Ilmi Kiçmari
Në këtë libër të autorit Zymer Mehanit janë përfshirë një numër i madh studjuesish, historianësh, mjekësh, intelektualësh të shquar, ambasadorësh, pedagogësh, shkrimtarësh, inxhinierësh, mësueseve dhe profesionesh të tjera të ndryshme, që merren me shkencën dhe letërsinë tonë shqipe.
Autori, Zymer Mehani, në fillim të librit vë në pah humanistët, të cilët ndihmuan dhe kontribuan shumë për lirinë e vendit tonë në mënyra të ndryshme para dhe gjatë luftës së UÇK-së.
Prof. Ass. Ali Lahu është një mjek i nderuar dhe i respektuar i trevës së Llapit, i cili punoi dhe ndihmoi shumë pacientë nga të gjitha trevat e Kosovës që kishin nevojë për ndihmën e tij. Puna e tij si mjek nuk ishte thjesht një detyrë profesionale, por një thirrje shpirtërore; duke trajtuar pacientët, ai shpërfaqte një humanizëm që pak mjekë e kanë. Shpesh ulej pranë shtratit të pacientit për t’i dhënë zemër, duke besuar se edhe ky pacient do ta tejkalonte sfidën.
Këtu vlen të theksohet se ky mjek ka qenë edhe mjek i “Çetës së Llapit” në vitin 1989, e që kjo çetë më vonë u transformua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Duke vënë në pah mendimin e Ali Lahut, autori citon shpesh thënien e tij: “Një jetë e shpëtuar është një betejë e fituar”. Kontributi i tij është edhe sot e kësaj dite mjaft aktiv në shërimin e pacientëve të tij.
Mjeku i dytë i përfshirë në këtë libër është Dr. Selman Hoxha, që është një mjek i shpirtit dhe shpëtimtar i jetës. Dr. Selman Hoxha është ndër mjekët më të ndritshëm të kësaj treve. Ai ishte një prej nismëtarëve të ndryshimeve politike të viteve ’90. Me duart e tij të palodhura, kontribuoi në kohë lufte duke ndihmuar dhe shëruar ushtarët e UÇK-së dhe popullatën, që ishin në rrethana shumë të vështira gjatë luftës në Kosovë. Dr. Selman Hoxha është bërë mbrojtës i jetës dhe ngadhnjimtar për shpirtrat e vuajtur. Ai është një shembull se si talenti, përkushtimi dhe dashuria për njeriun mund të bëjnë mrekulli; edhe sot e kësaj dite vazhdon të shërbejë me përkushtim dhe fisnikëri në trevën e Llapit.
Akademik Hakif Bajrami është një nga historianët më të shquar shqiptarë të kohës sonë, i cili ka dhënë dhe vazhdon të japë kontribut të madh në fushën e historisë dhe diplomacisë në Kosovë. Kontributi i tij nuk është vetëm akademik, por shërben edhe si frymëzim për të gjithë ata që pasionin e kanë për njohjen dhe kuptimin e së kaluarës së popullit shqiptar. Ky autor ka deri më tani të botuara më tepër se 50 vepra; njëra ndër to është edhe vepra “Adem Demaçi – themelues i Zyrës Politike të UÇK-së”, në Prishtinë, 1998 99. Në këtë libër autori përshkruan në hollësi punën e ideatorit të luftës çlirimtare dhe udhëheqësin shpirtëror e shpëtimtar të luftës për liri në Kosovë. Ky libër me të drejtë cilësohet si kronikë historike, një vepër faktografike për zhvillimet e kohës. Libri në fjalë i kushtohet vetëm një periudhe të shkurtër historike, që përmbledh vitet 1998 99 dhe kulmon me çlirimin e Kosovës nga UÇK dhe NATO.
Më tej profesori Mehani shkruan për Prof. Dr. Sadri Rexhepin, po ashtu historian i shquar dhe profesor universitar në fushën e historisë, që ka dhënë një kontribut të madh me studentët e tij në procesin arsimor dhe më gjerë. Ky autor vjen me veprën “Masakra e Gërdofcit”, ku sjell në hollësi të dhëna lidhur me gjenocidin që Serbia e zhvilloi në këtë trevë të Llapit gjatë viteve 1998 99.
Në këtë luftë, populli shqiptar i Kosovës u përball me dhunën dhe represionin e forcave serbe dhe paramilitarëve. Në Llap, një zonë e pastër shqiptare në Veri të Kosovës, e veçanërisht në Gërdofc, u pa një represion i paparë.
Në vazhdim të librit autori vë në pah kontributin e madh të njërit ndër autorët e “Çetës së Llapit”, Prof. Dr. Sabri Kiçmarin, dhe të autorit të librit “Fitorja diplomatike”, që është një dëshmi monumentale e rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë. Autori Kiçmari shkruan kujtime dhe takime me diplomatë e liderë të rëndësishëm, si ministri i Jashtëm i Austrisë Wolfgang Schüssel, ministri i Jashtëm i Holandës Jozias van Aartsen dhe përfaqësues të Gjermanisë; këto janë dëshmi të thella për t’i dhënë frymë dhe zë një populli të shtypur. Intervista e Kiçmarit në Der Spiegel, konferencat e shtypit në Bonn dhe paraqitjet publike ishin ndër platformat që autori përdori për të informuar botën mbi krimet e kryera nga regjimi serb dhe mbi luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës për liri.
Një figurë e nderuar llapjane është edhe inxhinieri Arsim Thaçi, i cili ka botuar disa libra; ndër to është libri kushtuar babait të tij, mësues, pastaj Trungu i fisit Thaçi të Zakutit, Krimet serbe në trevën e Llapit më 1998 99, Kolonizimi i trevës së Llapit nga viti 1912 1998. Vlen të theksohet letra e inxhinierit Arsim Thaçi, drejtuar ish kryetarit amerikan Joe Biden, ku e njofton për gjenocidin që është duke bërë policia dhe ushtria serbe, me paramilitarë, ndaj popullatës së pafajshme shqiptare në Kosovës.
Vlen të theksohet se në komunën e Besianës ka një numër i madh intelektualësh që kanë kontribuar në arsim dhe kulturë si: Fetah Sheholli, Abdullah Blakçori, Gani Mehmeti, Rrahim Sadiku, Nuhi Pitoku, Ilmi Kiçmari, Shefki Përvetica e shumë autorë të tjerë.
Po ashtu autori vë në pah punën shkencore të albanologut Ruzhdi Kiçmarit me librin e tij Në kërkim të gjuhës dhe të mendimit. Ky libër është një studim i thellë, ku veçanërisht trajton çështje komplekse lidhur me origjinën dhe zhvillimin e gjuhës së njerëzve: origjinën dhe evoluimin e gjuhës. Është një udhëtim ndërdisiplinar që lidh biologjinë, psikologjinë, antropologjinë dhe gjuhësinë, duke krijuar një sintezë të pasur njohurish mbi natyrën dhe evoluimin e gjuhës.
Në këtë vepër të Mehanit janë të përfshira poetet e Vushtrrisë: Ymrije Beqiri, Ferdane Pllana Zabërgja dhe Tuana Gjigolli. Ymrije Beqiri ka shkruar një numër të madh librash, që pasqyrojnë ndjenjat, ëndrrat dhe përvojat e saj në letërsi. Në librin “77 Lulkuqe Lirie” autorja nxjerr në pah 77 fëmijë të Vushtrrisë, që humbën jetën në lule të rinisë, dhe që përfaqësojnë jo vetëm humbjen e fëmijëve, por edhe një plagë të rëndë për familjen, vendin dhe shoqërinë shqiptare.
Ferdane Pllana është një zë poetik i fuqishëm, që mishëron emocionet e thella të ndarjes, nostalgjisë dhe pasionit përmes vargjeve të saj të ndjera. Ajo përdor poezinë si mënyrë për të rrëfyer përvojat e jetës si emigranti, ndarjen nga vendlindja, mallin e rrugëve të huaja dhe etjen për tokën e lindjes.
Tuana Gjigolli është një yll i ri poetik dhe premtues për të ardhmen; ajo boton përmbledhjen me poezi “Botë e ylbertë”, ku pasqyron një botë plot me ngjyra, dritë dhe energji pozitive.
Në vazhdim të librit autori Mehani radhit një numër autorësh dhe shkrimtarësh të Prishtinës, që janë një zë i fuqishëm i kryeqytetit.
Qazim Berisha, romancier dhe publicist i shkëlqyer në komunën e Prishtinës, është një emër që ngjall respekt dhe admirim në botën e letrave shqipe. Në përmbledhjen me poezi “Në arkivin e kujtimeve”, Qazimi përfaqëson një udhëtim poetik që i ngjan hapjes së një arkivi të pasur me kujtime. Ky vëllim përbën një kontribut të çmuar në letërsinë shqipe, duke ofruar një udhëtim të thellë nëpër ndjenja, kujtime, përjetime historike. Autori Berisha ka botuar një numër të madh librash me poezi, monografi, romane dhe aforizma.
Lejla Dragusha është poete e dritës dhe hijes, perlë e poezisë bashkëkohore shqiptare. Vargjet e saj janë si një melodi e ëmbël që të fton të udhëtosh në botën e brendshme të shpirtit njerëzor. Përmbledhja e saj me poezi “Unë jam Omeri”, ku trajton tema të ndryshme që lidhen me jetën, dashurinë, humbjen dhe rrugëtimin e brendshëm të individit. Kryeprotagonisti është Omeri, që sipas informacioneve autore, është vëllai i saj. Mesazhi shpesh reflekton mbi vuajtjet dhe gëzimet e njeriut në botën moderne.
Driton Berisha është një yll i poeisë shqipe, që shkruan me zemër e shpirt. Poezia e tij trajton tema universale si dashuria, humbja, shpresa dhe qëndresa, duke i dhënë një dimension të ri përvojës njerëzore. Në përmbledhjen “Ndez dritat e jetës” kap përvojat e jetës përmes poezisë dhe mendimeve filozofike.
Ruzhdi Gashi është një zë i veçantë i letërsisë dhe kulturës shqiptare, një autor që me penën e tij ndërton ura mes historie dhe emocioneve njerëzore. Në çdo vepër të tij, Gashi sjell shpresë të re, një frymëzim për t’u ngritur mbi sfidat. Romani i tij “Njerëz dhe fate” trajton të keqen si dukuri negative në shoqëri. Ai zhvillon ngjarje që ndodhin në një ambient dhe lokalitet të caktuar të kryeqytetit; tema kryesore është imoraliteti. Autori vë në pah individin që është i rëdomtë, por i shkolluar, rreth të cilit formohen intrigat dhe fatet ndërtohen mbi këtë bazë.
Grupi i shkrimtarëve nga Mitrovica: Skënder Hamzaj, Zeqir Kurti, Bajram Muharemi Bistrica dhe Lediona Syla janë një grup i veçantë i shkrimtarëve të kësaj ane. Poet Skënder Hamzaj na vjen me librin “Lindja dhe organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, që përfshin periudhën 1997 99, kur populli i Kosovës përjetoi dhunë, dëbim, vrasje e masakra më të egra e barbare, që njerëzimi i kishte harruar prej kohësh. Me krismat e pushkëve çlirimtare të Adem Jasharit e të Zahir Pajazitit nis epoka e re e UÇK së; nga krismat e armëve të tyre u tmerrua armiku, që populli frymoi më lirshëm. Pastaj të përmendet edhe ndihma e NATO¬s, që na ndihmoi dhe së bashku me UÇK në popullin tonë na e çliroi.
Zeqir Kurti paraqitet në këtë vëllim të Mehanit me librin “Vargje nëpër kohë”, ku i kushtohet vëmendje e veçantë kurbetit, motiv që përshkon jetën e mijëra shqiptarëve ndër vite. Përmes një gjuhe të pasur me simbole dhe metafora, Kurti përshkruan mallin e prindit për fëmijën e vet. Pika qendrore është nëna, e cila përfaqëson dashurinë, sakrificën dhe përkushtimin, duke u bërë simboli më i fuqishëm i forcës dhe qëndresës sonë.
Bajram Muharremi Bistrica na vjen me librin “Më ka marrë malli, nënë”. Në këtë kontekst, figura e nënës përshkruhet si një hyjneshë, që përherë mendon dhe përpiqet për fëmijët e saj. Bajram Muharremi, i dashuruar për vendlindjen, përjeton dhimbjen e ndarjes nga familja dhe përpjekjen e vazhdueshme për t’u përshtatur në një realitet të huaj. Ai ka shkruar një numër të madh veprash: Gjurmë atdhedashurie, Vullkan i fjetur, Nëpër shtigjet e jetës sime, Mbi krahët e ëndrrës, Kadri Bistrica, Guri i kufirit të atdheut, etj.
Lediona Syla është një zë i ri dhe premtues në letërsinë shqiptare; ajo reflekton shpirtin e një gjenerate që përballet me sfidat bashkëkohore, por që nuk e humb lidhjen me rrënjët dhe vlerat tradicionale. Vepra e saj “Me zemër të valë” është një shembull i shkëlqyer i dashurisë dhe kujdesit që ajo ka për botën e fëmijëve. Ky libër është një udhëtim poetik, që synon të lidhet me ndjenjat më të thella dhe emocionet që karakterizojnë fëmijën.
Në vazhdim, autori Mehani na sjell në dritë tre titanakët e letërsisë shqipe: autorët Sahit Shala, Bedri Tahiri dhe Nuhi Potoku, të cilët dallohen me prurjet e tyre në poezi, publicistikë dhe prozë roman. Secili prej tyre ka trajtuar tema të ndryshme që lidhen me fatet e shqiptarëve, duke sjellur mesazhe universale mbi luftën, shpërnguljen dhe historinë.
Sahit Shala vjen me romanin “Dashuri në kohë”, ku pasqyron një epokë letrare që përmban periudhën më të vështirë dhe heroike të historisë shqiptare – luftën e UÇK së. Bedri Tahiri me romanin “Degëdisja” është një vepër që shërben si pasqyrë e një prej plagëve më të dhimbshme në historinë e shqiptarëve, shpërnguljen dhe depërtimin e tyre nga trojet e tyre. Tahiri përshkruan me detaje tronditëse sfondin e një realiteti historik të ashpër; ai përshkruan shkatërrime që forcat serbe bënin mbi popullatën shqiptare. Degëdisja është simbol i ngushtësisë antinjerëzore dhe verbërisë fashiste serbe.
Nuhi Potoku sjell romanin “Shpella e sokolave”, i cili ndërthur elemente historike, letrare dhe filozofike për të trajtuar një periudhë komplekse të historisë shqiptare, jetën nën sundimin e Perandorisë Osmane. Shpella shfaqet si simbol mbrojtës i qëndresës dhe shpresës. Në romanin e tij Potoku sjell figura heroike që mishërojnë vlerat dhe idealet e lirisë dhe të drejtësisë. Shpella e sokolave është më shumë se një roman historik; është reflektim mbi natyrën njerëzore, identitetin kombëtar dhe vlerën e lirisë. Pjesa e brendshme e Shpellës pasqyron karakterin e njeriut dhe lidhet me virtytet e Sokolit të Toplicës, duke paraqitur një etapë të dramës individuale që zhvillohet dhe ashpërsohet.
Fatmir Çitaku dhe Lumturije Drenica janë dy poetë që zbukurojnë botën e brendshme me artin dhe zemrat me dashuri. Fatmir Çitaku, zëri i Dardanisë, është poet që flet për tokën e qiellin, për dhimbjen krenare, për historinë dhe shpresën. Përmbledhja me poezi e prof. Fatmir Çitakut, titulluar “Zëra gazmorë”, u dedikohet fëmijëve që sjellin gëzim e buzëqeshje, por edhe prindërve, gjysheve e gjyshëve; ky libër përmban vjersha që sjellin argëtim, edukim, hare dhe që pasqyrojnë botën e brendshme dhe ndërmjet peripecive, dëshirave dhe ëndrrave të të vegjëlve. Çitaku ka shkruar një numër të madh veprash si: Në kërkim të lirisë, Ecim nëpër kohë, Çitakët gjatë kohërave të historisë, Bajrush Behrami rrugëtuesi i lirisë, Shkolla dhe arsimi në Bajçinë përgjatë kohërave. Për këtë autor Zymer Mehani ka shkruar monografinë “Fajkoi i furtunës”.
Lumturije Drenica është poete që i jep shpirt fjalëve. Ajo krijon universin e saj poetik, ku çdo varg është si një margaritar dhe çdo poezi si një dritare drejt botës së brendshme të njeriut. Poetja na vjen me përmbledhjen “Mall atdhesie”, që përbëhet nga poezi me orientim atdhetar. Këtu bien në sy imazhet e jetës në truallin amtar, që rikthehen në retrospektivë. Lumturije në horizontet e poezisë shqipe njihet si poete me vokacion atdhetar. Veprat e saj janë: Veç një atdhe, Ah Shqipëri..!, O male hije rëndë etj.
Avni Çunaku është shkrimtar i shquar, i cili që nga viti 1991 jeton në mërgim, por asnjëherë nuk e harroi atdheun e tij. Libri i tij i parë është “Ora e Dardanisë”; në këtë vepër autori përballet thellë me kohën, me tokën, me frymën e popullit që kërkon liri. Veprat tjera të tij janë Eshtra në shtërngim, Ëndrra të trishta, Retë e atdheut, Dragonjtë e lirisë, etj.
Poetët e Llapit: Fetah Sheholli është poet që ka zënë vend të veçantë në letërsinë shqipe, me vargjet e tij plot ndjenjë, melankoli dhe reflektime të thella. Në librin e tij “Akull e zjarr” autori eksploron kontraste të thella që ekzistojnë brenda natyrës njerëzore dhe jetës në përgjithësi. Titulli i librit është një metaforë e fuqishme për dualitetin që ekziston në jetën e përditshme. Në poezitë e këtij poeti, kulla dhe kalaja janë figura simbolike për lashtësinë dhe qëndresën e shqiptarëve gjatë shekujve. Libri i tij i dytë është “Dritëhijet e zemrës”.
Abdullah Blakçori është poeti i shpirtit shqiptar; poezitë e tij pasqyrojnë një pasuri të madhe metaforash, figurash stilistike dhe ndjenjash të thella, duke shërbyer si një pasqyrë filozofike e realitetit shoqëror dhe kombëtar. Vepra e tij “Aromë lulkuqesh” përmban një numër të madh poezi që i kushtohen heronjve të kombit. Në këtë vëllim poeti Blakçori tregon mjeshtri të lartë artistike dhe me thellësi të madhe atdhedashurinë dhe historinë, dhe qëndresën shekullore ndaj okupatorit – që nga Skënderbeu deri te Zahir Pajaziti.
“Ata s’kishin fjalë, sall vepra kishin,
Stuhisë së veriut përrore n’ballë i rrishin.”
Poeti Avni Neziri na vjen me përmbledhjen “Kur mendoj me zë”, ku autor shpreh ndjenjat e tij të thella për atdheun, duke i dhënë zë dhe formë ndjenjave që jetojnë në zemrat e çdo shqiptari. Poezitë e tij janë thirrje për të bashkuar forcat dhe për të ruajtur vlerat dhe identitetin kombëtar. Avni ka botuar veprën “Bota me dy yje”.
Lumni Nimani është një poet që përmes vargut të tij shpreh një botë të pasur emocionale dhe filozofike, e cila përmban reflektime të ndjeshme mbi natyrën e jetës dhe të qenies njerëzore. Ai na vjen me përmbledhjen “Dritëlotët e shpirtit”, që është një pasqyrë e brendshme e poetit dhe reflektim mbi ndjeshmërinë njerëzore.
Drita Kosumi Syla është poete e talentuar e letërsisë shqipe. Kjo poete boton përmbledhjen “Kohë vargjesh”, e cila prek thellë në shpirtin njerëzor dhe ndjenjat që lidhen me atdheun, lirinë, kohën, dashurinë dhe sakrificën. Libri i saj i jep jetë poezisë moderne shqiptare, duke ofruar lexuesve mundësinë për të menduar më thellë për ekzistencën dhe marrëdhëniet njerëzore. Poezitë e saj janë frymëzim për brezat e rinj dhe testament i fuqisë së artit për të ruajtur shpirtin e kombit. “Mall dhe dashuri larg Arbërie” është vepër ku koha shfaqet si element që përshkon pothuajse gjithë poezinë. Mërgimi te kjo poete është ndarje shpirtërore që shkakton mall të pafund për rrënjët dhe tokën e lindjes. Mesazhi në këtë poezi është koha dhe dashuria, ndërsa kujtimet mbeten të gjalla në shpirt.
Ilmi Kiçmari është poet i njohur për ndjeshmërinë dhe thellësinë e ndjenjave që shpreh në krijimtarinë e tij. Vargjet e tij dallohen për tematikë të gjerë, përdorim të stilistikës dhe figuracionit poetik. Autori vjen me përmbledhjen “Vargje zemre”, që është një udhëtim poetik në zemrën e njeriut dhe të natyrës. Përmes kësaj vepre, autori na fton të eksplorojmë ndjesitë më të thella dhe bukuritë që mund t’i përjetojë një shpirt njerëzish. Vargjet e tij janë të mbushura me metafora dhe simbole. Ai sjell edhe poezi kushtuar nipave dhe mbesave, që gjenden në mërgim, e disa këtu në Kosovë. Autori ka botuar edhe një monografi “Familja Kiçmari”, novelën “Gjaku nuk humbet” dhe temën e masterit me titull: “Gjuha komunikuese e drejtorit me mësimdhënësit e shkollave fillore në komunën e Podujevës.”
Gjekush Gashi është poet llapjan që njihet për temat që trajton; poezia e tij është e thjeshtë, por e fuqishme, duke ndjerë thellë tek lexuesi dhe duke krijuar një pasqyrë të qartë të jetës dhe kulturës. Përmbledhjet me poezi “Mall mërgimtari” dhe “Plagë zemre”, në të dytën shprehen, mes tjerash, ndjenjat e vuajtjes së mërgimtarit që gjendet jashtë vendit. Te Gashi gjithnjë gjenim kënaqësi e pakënaqësi, ëmbëlsi e hidhërim, por edhe mburrje dhe krenari; ai ravijëzon karakteret e brendshme të njeriut, shpreh atdhetarizëm, trimëri, besë, miqësi – që i japin vlerë të madhe veprës. Gjekushi, me poezitë e tij, ia ka dalë që, me ironizim fshikullues dhe thërrës, të satirizojë botëkuptimet, të metat, gabimet dhe makutëritë e pseudo politikanëve të këtij nënqielli.
Emine Konushevci Durmishi është poeteshë e talentuar; ajo boton vëllimin me poezi “Shtigjeve të jetës”, ku trajton dashurinë ndaj atdheut dhe motivin e kurbetit si plagë e rëndë e popullit tonë. Poezitë e këtij vëllimi janë pitoreske, përfshijnë lojëra fjalësh dhe herë herë mendime të shpërndara, por forma e vargëzimit është harmonike, kurse ritmi i theksuar. Portreti i nënës është i jashtëzakonshëm, i qartë në poezinë e autores. Poezia e Durmishit është dialog i aftë, i ngrohtë, miqësor me lexuesin, duke marrë herë pas here edhe karakter tregimtar; prandaj poezia e saj shquhet për komunikim të afërt.
Shkrimtarët e komunës së Obiliqit: Fadil Curri, Halil Prenqi dhe Ahmet Pllana janë emra të shquar që ndriçojnë jo vetëm kulturën letrare të Obiliqit, por edhe të gjithë Kosovës.
Fadil Curri është figurë emblemë e letërsisë shqipe, që shquhet për mjeshtërinë e fjalës së shkruar dhe thellësinë filozofike. Ai është poet i shpirtit, që në poezitë e tij përkëdhel temat më të ndjeshme si dashuria për atdheun, malli për të kaluarën dhe sfidat e së ardhmes. Me vargjet e tij ai krijon urë mes lexuesit dhe ndjenjës së përjetshme, duke frymëzuar brezat e rinj. Fadil Curri është poet, shkrimtar, publicist që shquhet për vështrime kritiko letrare. Poezitë për fëmijë: Nga gëzimi fluturojmë, Në krahror të gjyshit, Zëra të vegjël fëmijësh nga fshati Mazgit, veprat e tij letrare: Këngë e lot, Vargje mbi gurë, Gjuha e truallit tim, etj.
Halil Prenqi është mjeshtër i rrallë i vargut, që sjell në qendër jetën qytetare dhe kujtesën kolektive; me stil të ngrohtë dhe të përkushtuar ai ka arritur t’i kthejë çastet e zakonshme të jetës në vepra artistike të jashtëzakonshme. Prenqi mbetet i pakrahasueshëm në aftësinë për të ringjallur atmosferën e kohëve të shkuara dhe për të mbrojtur trashëgiminë kulturore nga harresa. Veprat e tij janë: Dashuria është parajsë, Shpirti i trazuar, Baladë për atdheun. Poezia e Prenqit trajton marrëdhëniet ndërmjet patriotizmit dhe interesave personale, pas një periudhe të vështirë si lufta. Poezia është reflektim kritik mbi pasluftën dhe realitetin e vështirë të menaxhimit të ndihmës dhe burimeve të Atdheut. Ajo ndikon fuqishëm në ndjenjat e lexuesit.
Ahmet Pllana është autor që ka lënë gjurmë të thella në letërsinë moderne shqipe. Me një penë të mprehtë dhe vizion artistik ai ka krijuar univers letrar që sfidon kufijtë e realitetit dhe hap horizonte të reja imagjinate. Veprat e tij janë Dashuri e vetmi, Dashuria si frymëzim dhe qendër e jetës. Autori përshkruan me metafora të fuqishme si zjarr, mehlem apo plagë; poezia përfaqëson jo vetëm kënaqësitë dhe lumturinë, por edhe sfidat dhe dhëmbjet që mund të sjellë. Ahmet Pllana nuk vetëm pasuron fondin letrar, por na fton të meditojmë mbi rëndësinë e dashurisë përmes vëllimit poetik “Dashuri e vetme”. Këta shkrimtarë të Obiliqit janë arkitektë të shpirtit dhe historisë së kombit tonë.
Shkrimtarët nga Kamenica: Xhemkadri Kastrati dhe Bajram Ibrahimaj janë autorë të shquar të kësaj ane. Kastrati është i njohur për lirikën e tij të thellë dhe të pasur me ndjenja, që reflektojnë një pasqyrë të thellë të jetës dhe realitetit shoqëror. Ai ka aftësi të jashtëzakonshme për të krijuar imazhe të fuqishme dhe për të transmetuar ndjenjë, duke i dhënë poezisë një identitet të fortë dhe një mesazh që prek lexuesin tonë. Veprat e tij janë Ty që ishe andrra ime, Ornela dhe Harabeli, Në dallgët e jetës, etj.
Bajram Ibrahimaj është figurë e njohur në fushën e poezisë; ndjeshmëria artistike e tij pasqyrohet me forcë në poezitë që shpesh kapin thelbin e jetës dhe pasqyrojnë realitetin e përditshëm. Veprat e tij janë: Hogoshtin e kujtoj, Sypërlotur përballë vendlindjes, Ngjyra jete, Nostalgji shpirti. Poezitë e Bajram Ibrahimajt janë reflektim i ndjenjave të thella për identitetin, traditat dhe dashurinë për vendlindjen.
Autori Mehani ka shkruar një vepër kolosale, duke përfshirë autorë të shumë komunave dhe duke krijuar një kolorit të veprave të autorëve të ndryshëm. Autorin në fjalë e përgëzojmë për punën dhe mundin e përhershëm që po bën për letërsinë shqipe.
