Dimër i mirë
Ishte Dimër i vështirë!
Duart në morth
mufatur e grisur
në bojra e telajo,
si prej flokut zbokth
kam shpupurisur
plagë edhe kallo.
Ishte Dimër i ngrirë!
Zbarkoja në breg
si një pirat i plakur,
si çelësi në bravë,
zemrën ajzberg:
Përjashta krejt akull,
përbrënda veç llavë.
Ishte Dimër i nxirë!
Shenja ishujsh mavi
mbi hartat e bardha
ku lundrova ndër dallgë,
ndër tsuname, stuhi,
Piter Pan n’përralla,
fëmijë i pafaj, i prapë.
Ishte Dimër – Dimër i mirë!
Mezi eca buzë acarit,
u përndeza mes të ftohtit,
u mërdheza mes murlanesh,
me këmbët e vrapuesit e të çalit,
lotova djersë në vend të pikave të lotit,
e shpirtin e kalita në prush fllakadanesh.
