Laku i plakut
Jetë e shkurtër!”
i thashë atij që të birin
e kishte më të madh se unë,
s’më doli kundër
por duke qetuar delirin
shtoi: -Jetë e shkurtër shumë!
Vazhdoi biseda
duke e rrufitur kafenë
shoqëruar metaksasë me 7 yje,
tema prapë “jeta”,
e moçmja me të renë
herë këputeshin, herë bënin nyje.
Dëgjova të vjetrin
në çdo fjalë të thënë
mbi rëndësinë që ka kjo dreq jete,
tha: -Kur të vdesim
të gjitha këndej i lëmë,
veç dashurinë e marrim me vete!
