Si dallga e tërbuar, vrapoj drejt një ëndrre,
I nxehti lëkund dhe
dridhëron ajrin,
Shikimin verbon nën drithërima zemre.
Shpirtin e djegur shkrumb
e rindez përsëri,
Si për ta djegur atë që i shpëtoi të gjitha zjarreve.
Dhe ti e do zjarrin tim afër, të digjesh…
Dëshira e çmëndur pranë të rri, endjeve,
Që në çdo zgjim në gjoksin tim të strukesh…
Ëndrra ndizet dhe dallgëzon mbi ndjenja…
Dhe unë dridhem më shumë nga shpresa,
Se etjen me trupin tënd do shuaj…
Por në vend të buzëve dhe duarve te tua,
Mallin përvëlues gjej mbi lëkurë përsëri.
Atje tutje, i paarritshëm,
Mirazhi lëkund ajrin mbi asfaltin e zi,
Si një premtim i përjetshëm zemrash,
Si një mall që përvëlon e nuk shuhet në sy…
Dhe kështu muret e akullit shkrihen,
Nga zjarri i vullkantë që më ndizet në gji…
Asgjë se ndal,
as nata ku shkrihen ëndrrat.
Mes flakësh shpirti po digjem, për ty…