Wednesday, October 15, 2025
BallinaVitrina e libritANGELA KOSTA-FANTAZMAT

ANGELA KOSTA-FANTAZMAT

Fantazma të frikshme
të prejardhura nga kështjella të varfra prej rëre
ferr i fshehur,
mbytur nga krateri
i vullkaneve gjysëm të shuar
ku qëndron pafajësia
brishtësia e rinisë së mplakur.
Ushqim për çakejtë e uritur
pre me sy të shëmtuar plot gjak
teksa lëpijnë dhe dredhin mustaqet
e pushtetit të tyre.
Dolli ngrenë për fitoren
e nënshtrimit të shpirtrave
të përhumbur në përvuajtje…
Dhe qeshin…
nga gëzimi kërcejnë…
Shpërfillin lotët e mbledhura
në duart e Jetës,
e plasaritur si vetë zemra,
e shkatërruar pa mëshirë
teksa varrosen ëndrrat e fëmijëve,
duke kërkuar më kot shpëtim.
Përballen me ulërimën
e hijeve të zeza pa numërim,
i ftojnë të kërcejnë këmbëzbathur
me grushtat e mbledhur fort
nën qiellin e gabuar,
rreth i hapur i tokës së dergjur,
teksa dashurojnë dëshpërimisht
atë çka Perëndia krijoi.
Dhe vazhdon vallëzimi i falimentimit total
i së tashmes
nuk i druhen të nesërmes,
pijnë pa pushim nga kupa e përmbysur
pikat e fundit të helmit
të shpërndara gjithandej
ofruar me kënaqësi nga fantazmat e gjalla,
duke harruar,
duke mohuar,
duke mos respektuar
dashurinë e Nënave të tyre
membranë për të mbrojtur
gjënë më të shenjtë
që ekziston në këtë botë:
Jetën!
Të pangopura tërhiqen fantazmat
në terrin e natës së thellë,
zhduken, njësh bëhen me stuhinë
veshur me petkun e urrejtjes.
Tmerr!
Qenie të frikshme si mendimet e tyre
të padenja shfaqen
me vështrim verbues, të përndezur.
E ëmbël, e hidhur ti Jetë
strehë gjen në dritën vezulluese të shuar
në sytë e të gjitha Nënave të universit,
britma të luftës pakufi
mesazhe për shpresën e madhe.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT