Në një humnerë të thellë e të pafund,
aty ka mbetur shpirti im.
E dalëngadalë po ndiej se humb
çfarëdo dëshirë apo ndjesi.
Pa çka se koha s’ma njeh dhimbjen
asnjë shqiponjë nuk ka kaluar.
Të hyjë thellësive ku ikën vitet
e si dhuratë ta sjellë ndër duar.
Si një dhuratë që vjen prej zotit
(një trup pa shpirt është një statujë),
që s’mund të derdhë një piklë loti
e gaz në zemër s’do të njohi kurrë!
Aty humnera do të jetë bërë e bukur
nga shpirti i çiltër e i brishtë.
Prandaj dhe zotit i jam lutur
në çdo xhami e në çdo kishë…
Unë ëndrrat s’di ku i lashë pas
në vitet që më kanë lënduar.
Për çdo gëzim një dhimbje pashë
e lotët kurrë s’i kam numëruar.
Në jetët e mia të mëparshme
nuk di seç isha, ç’bijë e zotit!
Që shpirti im në një humnerë
e s’kam të derdhë një piklë lot’.
Oh moj humnerë, qofsh e praruar,
rinia ime e harruar!
