Ç’është dashuria për ty?
– e pyeta, me dëshirën e madhe për të zbuluar diçka,
me kërshërinë e një fëmije.
Pyetja më e zakonshme,
që i bëhet gjithkujt,
po aq e ndryshme në perceptimin individual,
– shtoi, për t’i dhënë kohë përgjigjes.
Befas, rrëmujshëm, nxori nga sirtari një palë gërshërë
dhe filloi të maste, të priste, të qepte e të provonte,
duke fshehur gjithçka nga unë.
Ishte mahnitëse në zhdërvjelltësinë
e spontanitetit të saj.
Pam-pam…
dhe para meje shpalosi atë që sajoi aty për aty.
– Uaaa! – thirra, gjithë habi.
Po ky është emri im!
– Po, a nuk e sheh
sa bukur i rri veshur shpirtit tim?
