Ditët bluajnë shi,
Pambarimisht, shi të grinjtë,
“I duhet gjelbërimit” thonë
Dhe vazhdojnë…
Çudi, mes shkretëtirës njerëzore
Unë kam kohë që rroj
Vetëm me vesën e buzëve
Që zgjon mëngjeset e mia…
U qesh udhëve të zymta
Dhe njerëzia mendojnë
Se unë jam patjetër një grua
Që s’e ka njohur kurrë dhimbjen!
I dashuri im, ata nuk e dinë
Që në cepat e buzëve të mia
Unë fshehur mbaj një diell,
Një diell që i mbyt gritë, të gjitha…
