-POEZIA IME PËR TY-
Poezia ime për ty nuk gjendet vargjeve,
I dashur, të gjithë mund të bëhen poet,
Mjafton pak bojëra hëne tu hedhësh fjalëve
E kushdo mund të jetë një Romeo, një Zhuliet…
Poezia ime për ty është në udhën mes syve,
“Të dua”, “të dua”, në vend të çdo kilometri,
Kapituj dashurie derdhur hapësirave,
Që mund t’i lexoj në terr dhe i verbëri…
Poezia për ty nuk gjendet letrave,
Por ti mos e rrudh ballin i dashuri im!
A s’u dogj dy herë bibloteka më e madhe?!
Të paprekshme e bëra, brenda shpirtit tim…
