Me mendimet lëshur mbi jastëk tani,
Imagjinon ti ndoshta hapat e mia,
Zhurmën e takave mbi asfalte malli,
Të butën ecje në dhomë, majë gishtave…
Asgjë s’të them, veç të lëshohem,
Me ajrin tënd tashmë bërë një,
Mbi buzën tënde drithërohem,
Pëshpërimë që vjen e shkon pa zë…
Asgjë s’të them i dashur, asgjë,
Se fjala shpesh herë magjinë e vret,
Sytë e përgjumur t’i puth pa u ndjerë,
Në ëndrra të futem, thellë nën lëkurë…
