Fakt
Ti ndoshta vrapon pas dritës tënde,
i përshtatesh mëngjesit,
ekzistencës i mbështetesh,
kërkon rrugën e ajrimit,
nuk ke kohë të humbësh frymë,
as madhështinë e qëllimit.
Ke fare pak ditë me çfarë ke kaluar,
ke më shumë kujtime,
më shumë libra,
shumë fletë të përgjumura,
por kjo dëshmon jetesën,
pa fakte të humbura.
Ti mbase vendos të ecësh më ngadalë,
i përfaqesh një kujdesi të maturuar,
pa ego të fryra,
pa xhelozi të dalldisura,
veç atyre që t’prekin zemrën,s’të duhen diskutimet,
pak ditë llogarit në obligimin tënd,
ke mall për dikë,të mungojnë përqafimet.
Kujton veç njeriun,që din ku e ka vendin,
atë që u godit e u ringrit,
pa rritje euforike,
pa i vënë askush një këmbë shkalle,
pa u dehur tundimesh,
as ndryshimit të stinëve.
E pastaj përfshihesh pas paqes me veten,
pa tu sosur fjala,
jep ç’mundesh aty,ku çasti ti ushqen mirë orët,
pa tu dridhur bastuni nga pasiguria,
e si pranverë shfaqesh,
të mban në valle dashuria dhe mirësia.
…do të t’duken dy jetë,
intensitet i vetëm një bote të shijuar,
e në fakt kupton…
vitet dhe rrekjet,
e ngutesh të qëndrosh,
për t’i harxhuar buzëqeshjet.
