Pragu i mendimeve hapet,
ndjenjat marrin frymë,
dhe në krahët e erës ngrihem.
Zgjoj gurët e heshtur,
ndal zërat që ngecin,
meditimi dhe lutja qetësojnë valët e kohës.
Stuhitë
stinësh bien mbi mua,
por ëndrra vjen,
e qetë,
duke shmangur rrugën e vjetër.
Drithëron fjala,
prek kujtesën,
dhe bryma zbutet ngadalë.
Në cepin e heshtjes,
takoj një muzikë të largët,
besnike deri në rrahjen e fundit të zemrës.
Prej mishi më flaket një dashuri
që njeh shqisat e mia,
e lundron në pritje të gjata,
largësitë shndërrohen në ndjenjë.
Dhe dy diej ndizen në përjetësi,
dy degë ndajnë hijen,
në dy botë të njëjta.
Pastaj vargjet e mia lidhin nyjet e një dite,
me një buzëqeshje të mbetur në sy.
